Pjesëmarrja e ulët, PS fajëson KQZ për pajisjet e identifikimit dhe u bën thirrje qytetarëve: Rikthehuni në qendrat e votimit!
Partia Socialiste thotë se është e shqetësuar për pjesëmarrjen e ulët të qytetarëve në votimet për zgjedhjet lokale.
Zëdhënësja e kësaj partie Bora Muzhaqi në një dalje për mediat nga selia rozë tha se pjesëmarrja e ulët në votime vjen për shkak se shumë qytetarë u kthyen mbrapsht pas problemeve me pajisjet e identifikimit elektronik.
“KQZ duhet ti kërkoj ndjesë qytetarëve që nuk votuan në fillim. Partia Socialiste ju lutet të gjithë atyre që nuk votuan në orët e para të mëngjesit që të rikthehen gjatë ditës. Të bëjnë detyrën e tyre qytetare duke votuar. Kushdo prej nesh që voton, voton dhe për ata që nuk e kanë të mundur të votojnë, sepse janë larg apo sepse janë ende fëmijë, por duan dhe meritojnë një Shqipëri akoma më të mirë. Prandaj thirrja jonë është votoni, votoni dhe vetëm votoni”.
Deri në orën 13:00 kanë marrë pjesë 23.2% e votuesve nga raportimet që janë bërë nga 2639 nga 5213 QV në total. Deri tani kanë votuar 440.370 votues, nga 1.898.349 zgjedhës në listën e QV-ve të raportuara.
Ndërkohë që sa i përket krahasimit me zgjedhjet e kaluara duhet thënë se në vitin 2021 deri në orën 13 kishin votuar rreth 32% në të gjitha qendrat e votimit.