20.4% E EKONOMISË SHKON PËR TRYEZËN/ Shqiptarët shpenzojnë më shumë për ushqime se çdo vend tjetër në rajon

Shqipëria vijon të mbajë peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime në raport me ekonominë e saj, krahasuar me vendet e rajonit dhe Bashkimin Europian. Të dhënat e Eurostat tregojnë se një pjesë e madhe e të ardhurave dhe burimeve financiare të vendit vazhdon të përdoret për nevojat bazë të konsumit.
Sipas statistikave të përpunuara nga Monitor, shpenzimet për ushqime në Shqipëri arritën në vitin 2025 në 20.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), duke zënë rreth një të pestën e madhësisë së ekonomisë.
Kjo shifër e rendit Shqipërinë të parën në rajon dhe shumë mbi mesataren e vendeve të Bashkimit Europian, ku shpenzimet për ushqime përbëjnë vetëm 6.2% të PBB-së.
Pesha e lartë e ushqimeve tregon se familjet shqiptare vazhdojnë të shpenzojnë një pjesë të madhe të buxhetit për nevojat bazë, ndërsa në ekonomitë me të ardhura më të larta një pjesë më e madhe e parave shkon për strehim, arsim, shëndetësi, transport dhe shërbime të tjera.
Shqipëria kryeson në Ballkan
Në rajon, Shqipëria renditet e para për peshën e shpenzimeve ushqimore, me 20.4% të PBB-së.
Pas saj vjen Mali i Zi me 19.9%, Bosnjë dhe Hercegovina me 19.1%, ndërsa Maqedonia e Veriut me 17.9%.
Serbia ka një nivel më të ulët, ku ushqimet përbëjnë 12.8% të PBB-së.
Ndërkohë, mesatarja e vendeve kandidate dhe potencialisht kandidate për në Bashkimin Europian arrin në 15.9%, rreth 4.5 pikë përqindjeje më pak se Shqipëria.
Ushqimet në Shqipëri më të shtrenjta se mesatarja europiane
Një tjetër faktor që ndikon në peshën e lartë të shpenzimeve është rritja e çmimeve të ushqimeve.
Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2025 çmimet e ushqimeve në Shqipëri kaluan për herë të parë mesataren e Bashkimit Europian, duke arritur në rreth 102.9% të nivelit mesatar europian.
Në praktikë, një shportë ushqimesh që kushton mesatarisht 100 euro në Bashkimin Europian, në Shqipëri kushton rreth 103 euro, sipas fuqisë blerëse.
Kjo diferencë bëhet më e ndjeshme pasi të ardhurat për frymë në Shqipëri mbeten shumë më të ulëta se mesatarja europiane.
Rreth 5 miliardë euro në vit për ushqime
Në vlerë totale, shqiptarët shpenzojnë rreth 5 miliardë euro në vit për ushqime.
Sipas Eurostat, çdo shqiptar shpenzoi mesatarisht 2349 euro për ushqime gjatë vitit 2025, një shifër pranë mesatares së Bashkimit Europian prej 2576 eurosh.
Në rajon, Shqipërinë e tejkalon vetëm Mali i Zi me 2613 euro për banor, por ky vend ka edhe paga dukshëm më të larta.
Të dhënat tregojnë se edhe pse ekonomia shqiptare është rritur vitet e fundit, ushqimet vazhdojnë të zënë një pjesë shumë të madhe të buxhetit të familjeve shqiptare krahasuar me vendet europiane./MONITOR


