Një pjesë e raketës së SpaceX drejt përplasjes me Hënën, astronomët përgatiten për një vëzhgim të rrallë. Ja kur pritet të ndodhë

Një pjesë e raketës Falcon 9 të kompanisë SpaceX pritet të përplaset me Hënën më 5 gusht 2026, në një ngjarje të rrallë që mund t’u japë shkencëtarëve mundësinë të studiojnë nga afër pasojat e një impakti në sipërfaqen hënore.
Sipas llogaritjeve të ekspertëve, përplasja pritet të ndodhë rreth orës 08:35 dhe zona e goditjes parashikohet të jetë pranë kraterit Einstein, në pjesën perëndimore të diskut hënor, një rajon i ndriçuar nga Dielli.
Mbetja hapësinore i përket fazës së sipërme të raketës Falcon 9, e cila u nis në janar të vitit 2025 nga Florida për të transportuar dy module uljeje drejt Hënës, Blue Ghost të kompanisë Firefly Aerospace dhe Resilience, pjesë e misionit japonez Hakuto-R të kompanisë ispace.
Pas përfundimit të misionit, pjesa e sipërme e raketës duhej të rikthehej në atmosferën e Tokës dhe të shpërbëhej, por ajo mbeti në hapësirë dhe përfundoi në një orbitë të lartë rreth Tokës, në një distancë të afërt me atë të Hënës.
Kjo trajektore bëri që rruga e saj të kryqëzohej me orbitën e satelitit natyror të Tokës.
Një ekip prej 23 astronomësh ka përgatitur një studim me parashikimet për këtë ngjarje, i cili aktualisht ndodhet në fazën preprint dhe ende nuk ka kaluar procesin e rishikimit shkencor.
Studiuesit u kanë bërë thirrje astronomëve profesionistë dhe amatorë që të drejtojnë teleskopët drejt Hënës për të ndjekur përplasjen dhe për të mbledhur të dhëna të reja.
Ngjarja nuk paraqet asnjë rrezik për Tokën, pasi përplasja do të ndodhë vetëm në sipërfaqen hënore.
Për shkencëtarët, ky moment përbën një mundësi të veçantë për të analizuar në kohë reale efektet e një përplasjeje hapësinore dhe për të kuptuar më mirë sjelljen e mbetjeve të krijuara nga misionet hapësinore.
Mbetja e raketës u identifikua për herë të parë nga astronomi i pavarur Bill Gray, i cili ndoqi trajektoren e saj dhe ngriti mundësinë e përplasjes me Hënën.


