Vapa nuk ju lë të flini? Ja mënyra e thjeshtë për të freskuar dhomën e gjumit pa asnjë pajisje

Vera ka sjellë temperatura të larta në shumë vende, ndërsa parashikimet tregojnë se nxehtësia pritet të vazhdojë edhe në javët në vijim. Këto kushte e bëjnë të vështirë sidomos gjumin, pasi dhomat e gjumit mbeten të nxehta dhe pa qarkullim ajri.
Shumë njerëz përdorin ventilatorë elektrikë, por shpesh ata nuk mjaftojnë dhe në disa raste vetëm qarkullojnë ajrin e ngrohtë në dhomë.
Ekspertët rekomandojnë një mënyrë të thjeshtë për të ndihmuar në uljen e temperaturës në ambientet e shtëpisë, pa nevojën e pajisjeve shtesë.
Sipas këshillave të British Gas, gjatë ditës është më mirë të mbahen të mbyllura dhomat që nuk përdoren, ndërsa në mbrëmje dhe herët në mëngjes të hapen dritaret dhe dyert e brendshme për të krijuar qarkullim ajri.
Gjatë orëve më të nxehta të ditës, hapja e dritareve mund të rrisë temperaturën brenda shtëpisë, ndaj rekomandohet që ato të qëndrojnë të mbyllura deri në mbrëmje.
Në orët e vona, ajri jashtë është më i freskët dhe hapja e dritareve lejon që nxehtësia e grumbulluar brenda të largohet. Hapja e dyerve të brendshme ndihmon në krijimin e një qarkullimi më të mirë të ajrit në të gjithë shtëpinë.
Në rastet kur dritaret ndodhen në anë të kundërta të banesës, hapja e tyre në të njëjtën kohë krijon një rrjedhë natyrale ajri që ndihmon në freskimin më të shpejtë të ambienteve.
Për banesat me dritare vetëm në një anë, rekomandohet përdorimi i ventilatorëve për të ndihmuar qarkullimin e ajrit dhe hapja e dyerve të brendshme.
Ekspertët theksojnë gjithashtu se, duke qenë se ajri i ngrohtë ngrihet lart, hapja e dritareve në katet e sipërme ose në papafingo ndihmon në largimin e nxehtësisë së grumbulluar.
Sipas tyre, në të kundërt, ajri i ngrohtë mund të mbetet i bllokuar në katet e sipërme, duke i bërë dhomat e gjumit më të nxehta dhe më të pakëndshme gjatë natës.


