Stuhia godet Elbasanin/ Reshjet intensive dhe breshëri 'paralizojnë' lëvizjen në disa zona të qytetit

Një stuhi me reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta ka përfshirë pasditen e së premtes qytetin e Elbasanit dhe një pjesë të madhe të qarkut, duke shkaktuar probleme në qarkullim dhe në lëvizjen e qytetarëve.
Reshjet nisën rreth orës 14:50 dhe brenda pak minutash moti ndryshoi ndjeshëm.
Në disa zona të qytetit, rrugët u mbuluan nga sasi të mëdha uji, ndërsa dukshmëria e ulët dhe përmbytja e akseve rrugore vështirësuan lëvizjen e automjeteve.
Edhe këmbësorët u përballën me vështirësi, pasi shirat e rrëmbyeshëm dhe breshëri ranë me intensitet të lartë. Erërat e forta krijuan rrezik shtesë në disa zona dhe ndikuan në zhvillimin normal të aktivitetit të përditshëm.
Deri tani nuk raportohen persona të lënduar. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes gjatë qarkullimit, pasi reshjet vijojnë me intensitet.
Stuhia ka prekur jo vetëm qytetin e Elbasanit, por edhe zona të tjera të qarkut, duke sjellë një ndryshim të menjëhershëm të kushteve atmosferike pas ditëve me temperatura të larta.


