Peleshi nga Korça: Ka ikur koha kur mbillnim pemë dhe na i shkulnin natën me polici

Puna, shtimi i të ardhurave dhe mirëqenia janë thelbi i fushatës së Partisë Socialiste. Me këtë mesazh dhe ftesën për të ecur përpara, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, njëherësh edhe drejtues politik i qarkut të Korçës iu drejtua gjatë një takimi banorëve të zonës.

Shoqëruar edhe nga kandidati, njëherësh kryetari aktual i bashkisë Sotiraq Filo, z. Peleshi u shpreh se tashmë pushteti lokal ka mbështetje të pakursyer edhe nga qeveria qendore.

“Thelbi i kësaj fushate, i këtij mandati të ri është puna, të ardhurat, mirëqenia, këtë premtojmë ne të gjithë së bashku, jo vetëm bashkia, por edhe qeveria qendrore. Kemi fatin të qeverisim sërish së bashku, qeveri qendrore-qeveri lokale. Unë kam patur fatin e keq, kam qeverisur në një kohë kur qeveria qendrore sillej si armike me ne. Dikush më tha aty:

-Ore ç’na duhen ne pemët, boll mbollët pemë! Në fakt pemët na duhen, se janë oksigjen. Por më duhet t’ju them se dikur, kur unë dhe Sotiraq Filo dhe të gjithë bashkëpunëtorët ndërtonim qendrën e qytetit, pemët që mbillnim ditën vinin makinat e qeverisë, policisë së ndërtimit, hiqnin targat (gjë që sot është e paimagjinueshme) dhe natën shkulnin pemët e i hidhnin në kanal. Kështu që ato pemë që ne i mbjellim sot dhe s’ka kush t’i shkelë kanë me vete edhe këtë simbolikë. Kanë ndryshuar kohët, s’duhet të kthehemi më kurrë pas, të shikojmë vetëm përpara. Ky është slogani ynë. Sotiraq Filo ka shtuar edhe një slogan tjetër ‘Të ecim përpara, por gjithmonë Korça është e para!" u shpreh z.Peleshi.

Gjatë fjalës së tij, z.Peleshi vuri në dukje ndryshimet dhe transformin që ka pësuar qyteti në të gjithë këto vite veçanërisht në turizëm. Ndërsa tha se tashmë ka ardhur koha që të zhvillohen edhe sektorë të tjerë si p.sh bujqësia.

EMISIONET