"Partizani" që tronditi politikën/ GJKKO merr sot në pyetje ish-kryeministrin, por a do të pranojë Berisha?! Zarfi poshtë derës është futur
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pritet të marrë sot në pyetje ish-kryeministrin Sali Berisha lidhur me procedurat e ndjekura nga ai dhe qeveria që ai drejtonte në kohën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv "Partizani" në Tiranë.
Për këtë çështje, GJKKO ka caktuar një seancë të posaçme në orën 14:00, ku Berisha do të merrej në pyetje si person nën hetim.
Ndërsa ende nuk ka një vendim nga Parlamenti dhe Berisha ka deklaruar më herët se nuk e njeh vendimin e Gjykatës, ende është e paqartë nëse do t’i përgjigjet ish-kryeministri personalisht kësaj kërkese, apo këtë do ta bëjë përmes avokatëve të tij.
Gjykata e cilëson si të njoftuar Berishën për vendimin, pasi ditën e djeshme u raportua se oficerët e OPGJ-së në pamundësi për ta kontaktuar fizikisht, ia kanë futur poshtë derës së shtëpisë zarfin me vendimin e gjykatës, procedurë kjo e njohur në raste të tilla.
Dhe më pas është e detyruar të zbatojë procedurën. Pas këtij momenti, ish-kryeministrit Berisha është ai që vendos nëse do të jetë i pranishëm apo jo në seancë ose mund t’i drejtohet Gjykatës së Apelit për të kundërshtuar vendimin.
Dje në një reagim Berisha tha se do ta respektojë deri në fund Kushtetutën e vendit, por në rastin konkret kur ndaj tij është ngritur një masë sigurie nga gjykata.
Mes të tjerash ai shtoi se vendimi është ndërmarrë në shkelje të plotë pasi një deputet nuk mund të ndiqet penalisht dhe as nuk mund të merret ndaj tij asnjë masë sigurie, pa autorizimin e Parlamentit.
Seanca është caktuar ndërkohë që dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi ndodhet prapa hekurave për privatizimin e ish-kompleksit Partizani më shumë se një dekadë më parë, ku janë ndërtuar disa kulla.
Ndaj Berishës, është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe bllokimi i pasaportës për të dalë nga vendi.