Paralajmërimi i opozitës: Prodhuesit shqiptarë drejt falimentimit nga rregullat e reja të BE-së

Një diskutim i tensionuar ka ndodhur së fundmi në komisionin parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme lidhur me fatin e prodhuesve shqiptarë dhe rrezikun e madh që i kanoset ekonomisë vendase nga procesi i integrimit në Bashkimin Evropian.
Gjatë një seance dëgjimore ku u kërkua llogari nga qeveria, përfaqësuesit e opozitës Edmond Haxhinasto dhe Eno Bozdo ngritën alarmin se heqja e barrierave mbrojtëse mund të çojë drejt një kolapsi të industrive lokale.
Deputetët e pranishëm theksuan se përvojat e mëparshme me marrëveshjet e tregtisë së lirë, përfshirë marrëveshjen e CEFTA-s, e kanë lënë shpesh biznesin shqiptar në disavantazh të thellë. Sipas tyre, blloku evropian po përgatitet të aplikojë politika gjithnjë e më agresive konkurrence, për të cilat Shqipëria duket tërësisht e papërgatitur.
Një nga shqetësimet kryesore të ngritura ishte kostoja e lartë dhe impakti negativ që do të ketë eliminimi i barrierave jo-tarifore tek prodhuesit vendas. Këto barriera deri më tani kanë shërbyer si një mburojë për sektorë delikatë si industria e vezëve apo e përpunimit të mishit.
Përveç rrezikut nga dominimi i tregut evropian, u denoncua edhe një kakofoni e plotë në mënyrën se si operojnë trupat inspektuese në vend, veçanërisht Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut. Mungesa e theksuar e kapaciteteve njerëzore dhe e thellimit në institucionet e cilësisë si akreditimi, standardizimi dhe metrologjia, është një tjetër pikë e dobët që e bën Shqipërinë të pambrojtur përballë valës së produkteve evropiane dhe kërkesave strikte të Komisionit Evropian.
Nga ana e saj, Ministria e linjës përmes zëvendësministrit pranoi situatën kritike. Përfaqësuesi i qeverisë theksoi se masat e identifikuara si barriera jo-tarifore aktualisht e bëjnë të vështirë hyrjen e produkteve të Bashkimit Evropian në tregun shqiptar, duke pranuar në mënyrë të tërthortë se rrëzimi i këtyre barrierave do ta vendosë biznesin vendas përballë një konkurrence të pamëshirshme.
DEBATET NË KOMISION
Edmond Haxhinasto: Pjesa e ekonomisë, të prodhuesve shqiptarë dhe të interesave tona të strukturës sonë ekonomike. Kështu që pyetja ime do të ishte nëse në këtë proces negociatash ju e keni një... keni qartësi për sa i takon mallrave, grupmallrave, sektorëve, nënsektorëve të cilët duhen mbrojtur në këtë proces negociatash? Pra a keni një strukturë të qartë të asaj që duhet mbrojtur? Dhe a keni një strategji të qartë se si do ta realizoni këtë në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian? Pasi, po e përsëris edhe një herë, kur janë diskutuar marrëveshjet e tregtisë së lirë për shembull, problemet kanë dalë më pas ku një pjesë e konsiderueshme e prodhuesve shqiptarë janë gjendur në pozita të pafavorshme në formatin e ri të tregtisë dhe të shkëmbimeve tregtare. Kështu që kjo është shqetësimi kryesor që unë kam. Dhe sigurisht, ky shqetësim vjen dhe përforcohet në kohën kur Bashkimi Evropian është duke kaluar vetë një proces shumë të rëndësishëm të rivlerësimit të konkurrueshmërisë së tij. Përgatitjes për një konkurrim më agresiv me blloqe të tjera të cilat po ngrihen në fushën e tregtisë botërore. Kështu që duhet të jemi të përgatitur edhe ne të kemi avantazhet tona konkurruese dhe të kemi ndjeshmëritë për të mbrojtur prodhimin vendas dhe mbi të gjitha prodhuesit shqiptarë.
Eno Bozdo: Zoti zëvendësministër, disa besoj pika që do të desha të kisha më shumë dhe informacion por edhe mendimin tuaj, të qeverisë, për çështjet. Së pari, një pjesë e mirë e masave që ju përmendët, të cilat janë të detyrueshme të merren në procesin e përafrimit të legjislacionit e detyrave tona, sigurisht shoqërohen me impakt, ndikim dhe kosto për industrinë vendase. Ju thatë që, në fakt siç e dëgjova unë, që ky është një ushtrim që ju e keni filluar që në vitin 2020 me identifikimin e masave që duhen marrë për eliminimin e barrierave jo tarifore. Madje keni një shprehje këtu: 'barriera jo tarifore të pajustifikuara në tregti'. Me thënë të drejtën, fjala 'të pajustifikuara' duhet hequr, se s'ka asgjë të pajustifikuar. Por çështja është e tillë, pyetja konsiston: nëse ju keni identifikuar sektorë, nënsektorë, grupe industrish të cilat në bazë të skedulës që keni marrë përsipër do të ndodhen, le të themi, nën presionin e konkurrencës së kompanive evropiane dhe të mallrave që mund të hyjnë nga Bashkimi Evropian për shkak të lehtësimit të kësaj tregtie. Një pjesë e mirë e këtyre masave jo tarifore, besoj mund të jenë edhe reminishenca të legjislacionit tonë, por një pjesë tjetër të paktën, sepse administrata jonë ka negociuar vazhdimisht marrëveshje të tregtisë së lirë. Që nga hyrja... pranimi dhe hyrja në Organizatën Botërore të Tregtisë, te CEFTA, MSA-ja e të tjerë e të tjerë. Një pjesë janë dhe masa të cilat janë marrë me qëllim në atë kohë për të mbrojtur një industri. Për shembull industrinë e vezëve, industrinë e përpunimit të sallameve, e të tjerë e të tjerë. A keni identifikuar ju këto grupe industrish? Nëse po, cilat janë, dhe nëse ka të tilla, çfarë masash mendon qeveria të marrë në mënyrë që ky grup industrish, pa lënë mënjanë detyrimin tonë për transpozimin e legjislacionit, të amortizojë goditjet që mund t'i vijnë nga tregu evropian dhe nga kompanitë evropiane? Çështja e dytë që do desha të ngrija ishte... pavarësisht gjithë kërkesave që ju keni, të gjitha këto në 90% të tyre, të paktën sipas rendit numerik, kanë të bëjnë me masa të ndryshimit të legjislacionit. Përgjithësisht është kështu. Të cilat janë të thjeshta, për aq sa mund të jenë të thjeshta, nëse bëhen në mënyrën e duhur edhe nëse identifikohen edhe grupet vulnerabël dhe mbështetja ndaj tyre. Unë do të ndalesha veçanërisht tek piketa e tretë e juaja, që ka lidhje me ngritjen e kapaciteteve të brendshme. Ngritja e kapaciteteve të brendshme, veçanërisht ngritja e inspektoriatit të mbikëqyrjes së tregut, jo e quani Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, në mos gabohem, është në mendimin tim ndoshta ndër pikat më të rëndësishme dhe detyrat më të rëndësishme në këtë kapitull. Pse? Sepse për shkak të situatës që kemi në sektorin e inspektimeve jemi thellësisht thellësisht problematikë edhe s'dua t'i hyj më kësaj historie. Për shkak të faktit që për mua ka një kakofoni dhe mënyrën se si veprojnë dhe operojnë trupat inspektuese veçanërisht vitet e fundit. Por mbi të gjitha sepse, në ka një vend që vëzhgimi i Komisionit Evropian do të jetë shumë i rreptë do të jetë ekzaktësisht kapaciteti i inspektoriatit të tregut për të ndërhyrë në treg dhe për t'ju përmbajtur rregullave dhe standardeve të Bashkimit Evropian. Ju thatë që këtë gjë do të fillonit... do të fillonit të mendonit për të duke filluar nga viti 2027. Në qoftë se më jepni... po e di, e di se ka ekzistuar që këtu e 15 vite përpara. Por në qoftë se mund të më jepni më shumë informacione, çfarë synoni të bëni, sa është stafi aktual, deri ku doni ta çoni e të tjerë e të tjerë. Kjo vlen edhe për tre këto institucionet e tjera të cilësisë që është akreditimi, standardizimi, metrologjia. Në qoftë se mund të më jepni një informacion më shumë për këtë. Kaq.
Zëvendësministri: Shumë faleminderit për pyetjet. Në fakt, pyetja e zotit Haxhoinasto dhe pyetja e zotit Bozdo janë shumë të ngjashme, kështu që po ia adresoj të dyja bashkë dhe ndërkohë pastaj do ndaloj më në detaj edhe tek pyetjet në vazhdim të zotit Bozdo. Çështja është e vërtetë, të gjitha masat që ne kemi identifikuar si barriera jo-tarifore në fakt nuk është se e pengojnë hyrjen e produkteve të Bashkimit Evropian në tregun e Shqipërisë, por mund të krijojnë pengesa dhe vështirësi për hyrjen. Masat që ju përmendët që kanë qenë edhe me efekte mbrojtëse.



