“Siguria e një pallati nuk përfundon me kolaudimin”/ Sula: Tërmetet dhe zjarret rrezikojnë banesat, ligji i ri ndryshon themelet e inspektimeve
Siguria e banesave, shkollave dhe spitaleve është kthyer në një emergjencë kombëtare, teksa ndryshimet klimatike, tërmetet dhe zjarret nuk konsiderohen më si ngjarje të rralla, por si një realitet i ri.
Gjatë një takimi të rëndësishëm mbi standardet e ndërtimit, Kryeinspektori i Përgjithshëm Dashnor Sula theksoi se domosdoshmëria e një sistemi inspektimi të koordinuar për të garantuar jetën e qytetarëve, duke e kthyer këtë në një çështje jetike dhe jo thjesht në një problem teknik.
Në fjalën e mbajtur përballë të pranishmëve Sula ngriti alarmin se siguria e një ndërtese nuk përfundon me kolaudimin e saj. Sipas të dhënave të paraqitura, çdo hallkë e dobët në zinxhirin e ndërtimit përbën një rrezik fatal. Një material i papërshtatshëm që nuk i reziston zjarrit, një fasadë që përshpejton flakët apo një sistem elektrik i pakontrolluar mund të kthejnë një godinë në një kurth të vdekshëm.
Sula paralajmëroi se qytetarët nuk jetojnë brenda procedurave burokratike të ndara, por në një ndërtesë të vetme, e cila me kalimin e viteve amortizohet, përshtatet dhe mbingarkohet, duke kërkuar kontroll teknik gjatë gjithë ciklit të saj jetësor.
Për t'i dhënë fund iluzionit të sigurisë publike, është theksuar rëndësia e zbatimit të Ligjit numër 99 të vitit 2023 për inspektimet, i cili synon të transformojë rrënjësisht këtë sektor. Ky ligj sjell një qasje të re: kalimin nga një sistem inspektimesh i fragmentuar, i vonuar dhe thellësisht ndëshkues, drejt një sistemi parandalues dhe të bazuar te rreziku. Reforma pritet të unifikojë veprimtarinë e inspektimit, të rrisë transparencën dhe të dixhitalizojë proceset për të shmangur abuzimet në kurriz të qytetarëve.
Ndryshimi më i madh në këtë sektor vlerësohet të mos jetë vetëm strukturor, por filozofik. Raportet e dikurshme ndërmjet shtetit dhe ndërtuesve, të bazuara te frika, pritet të zëvendësohen me një marrëdhënie transparence dhe përgjegjësie të qartë ligjore.
Kjo kërkon medoemos profesionistë të përgatitur, duke vënë theksin te rëndësia e inspektorëve të sigurisë nga zjarri, atyre të strukturës dhe të instalimeve mekanike e elektrike, për të garantuar që çdo objekt të mbetet një strehë e sigurt.
FJALA E KRYEINSPEKTORIT DASHNOR SULA


