Orët vendimtare në Ohër, Veliu: Delegacioni serb nuk është i gatshëm për marrëveshje
Prej orëve të pasdites vijojnë diskutimet në Ohër mes presidentit serb dhe kryeministrit të Kosovës, nën ndërmjetësimin e zyrtarëve evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak.
Analisti Lulzim Veliu në një intervistë për Ora News thotë se sot nuk ka firmosje të marrëveshjes por me rëndësi është që të arrihet një e tillë mes dy shteteve.
Referuar informacioneve të tij nga takimi, ai tha se delegacioni serb nuk është i gatshëm për marrëveshje.
"Për firmosje të marrëveshjes as që nuk bëhet fjalë. Po shpresohet të arrihet një mnarrëveshje që do të shtyjë përpara këtë proces dhe marrëveshje që do të ratifikoihet më pas në parlamentet përkatëse.
Nga informacionet e fundit që kemi, delegacioni serb nuk është i gatshëm për të arritur një marrëveshje. Marrëveshja e propozuar nga BE-SHBA nuk është e pranueshme për Vuçiç për t'ia paraqitur parlamentit të tij për ratifikim. Ata po përgatiten për tu larguar nga Ohri".
Ai theksoi se Serbia është e përqëndruar te Asociacioni, gjë për të cilën Kurti dhe qeveria e Kosovës heziton sepse është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.