Opozita ndez parlamentin/ Në seancë tollovi me ofendime, bilbila e përjashtime, ndërsa jashtë tym e flakë

Opozita mbajti të hënën pasdite protestën e dytë të asaj që kryedemokrati Sali Berisha e cilëson revolucion demokratik për largimin e qeverisë së Edi Ramës pas zbulimit të çështjes McGonigal.

Deputetët në sallë dhe mbështetësit jashtë ishte forma e zgjedhur për nisje.

Por 8 deputetë të përjashtuar nga Kuvendi për 10 ditë nuk u lejuan nga Garda të hynin në sallë çka shkaktoi tensione në derën e parlamentit.

Sapo nderuan kujtimin e viktimave të tërmetit në Turqi e Siri, dritat në sallën e Kuvendit u fikën.

Minuta më vonë u sqarua se u dogj një pajisje.

Deputetët e përjashtuar nga seanca ju bashkuan protestuesve para parlamentit.

Aty nisën tensionet. Protestuesit u përplasën me policinë dhe tentuan të çajnë kordonin e saj.

Hodhën tymuese dhe mjete të tjera piroteknike.

Për të mbajtur situatën në kontroll u angazhuan Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët u bënë gati dhe për mundësinë e shpërndarjes së ujit me presion.

Momentet e tensionit vijuan për disa minuta jashtë dhe brenda sallës së Kuvendit.

Sali Berishën kryeparlamentarja Nikolla e paralajmëroi sërish për përjashtim.

I hoqi të drejtën e fjalës dhe ai përdori si gjithnjë Facebookun. Nga foltorja ai replikoi me ministren Spiropali.

"Dokumentet që do të disponoj dhe disponoj do t'i dorëzoj në organet kompetente hetimore.Por kureshtjen tuaj për skena dhe gjëra mos kujtoni se ua plotësoj unë kurrë."

Bilbilat, simboli tjetër i kësaj proteste, ishin prezente në seancë, ku deputeti Flamur Noka shoqëronte me fishkëllima çdo fjalë të kolegëve të tij socialistë.

Për pasojë kryeparlamentarja Nikolla e përjashtoi edhe atë nga parlamenti.

Pas një orë e gjysmë seanca plenare u deklarua e mbyllur dhe Berisha jashtë e pati një paralajmërim për mazhorancën.

"Prania juaj këtu i detyroi të largohen nga Parlamenti por herën tjetër do të duhet t'u marrin leje ju për tu larguar nga Parlamenti. Më mirë zbatoni rregullat, ligjet, respektoni të drejtat e opozitës. Janë 750 mijë zgjedhës, të drejtat e të cilëve shtypen në Parlament. Ne kurrë nuk e tolerojmë këtë! Rroftë revolucioni, rroftë opozita, rrofshi ju!"

Pas protestës Berisha bëri një ndalesë në selinë blu dhe pasi doli njoftoi se  protesta e radhës së opozitës do të zhvillohet të enjten, sërish para parlamentit.

seanca plenare protesta e opozites revolucioni demokratik

EMISIONET