Nisma e PS me ndryshime ligjore/ Alibeaj: T'i thuash SPAK-ut që nuk ka të drejtë pezullimi, i krijon pengesë drejtësisë

Në një lidhje direkte për OraNews ka qenë ish-deputeti dhe juristi Enkelejd Alibeaj, i cili foli për raportin mes qeverisë dhe sistemit të drejtësisë, pas qëndrimeve të fundit të Kryeministrit lidhur me Belinda Balluku, si ministre nën hetim.

Alibeaj tha se t’i thuash drejtësisë dhe SPAK-ut se nuk kanë të drejtë të pezullojnë nga detyra një ministër nën hetim do të thotë të vendosësh pengesë ndaj drejtësisë dhe të ndërhysh në funksionimin e saj.

Sipas tij, një qëndrim i tillë prek jo vetëm ministren në fjalë, por edhe anëtarë të tjerë të kabinetit dhe vetë Kryeministrin, pasi krijon një precedent në raport me hetimet.

“Pra, t’i thuash drejtësisë, SPAK-ut, që ndaj një ministri nën hetim, ti nuk ke të drejtë ta pezullosh nga detyra, do të thotë ke vendosur një pengesë drejtësisë. Ke ndërhyrë në veprimtarinë dhe në funksionin e sistemit të drejtësisë”, u shpreh ai.

Alibeaj e konsideroi lëvizjen e Kryeministrit si të qartë dhe të dukshme për publikun.

Sipas tij, periudha kur drejtësia paraqitej si e mbështetur nga qeveria ka përfunduar.

“Është bërë e qartë që kohët e bukura të mbështetjes së drejtësisë, se drejtësia kishte garanci Kryeministrin dhe Partinë Socialiste, kanë përfunduar”, tha ai.

Në fund, ai shtoi se tashmë është hapur një kurs përplasjeje me drejtësinë, me SPAK-un dhe me gjykatat.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË:

EMISIONET