“Në debat me Belon”, Veliaj tmerrohet nga posterat, Blushi publikon pamjet: Policia e Bashkisë, në shërbim të partisë!
Tirana është mbushur me postera mbrëmjen e djeshme, me kërkesën e kandidatit të opozitës për Tiranën, Belind Këlliçi, i cili e fton kunbdërshtarin e tij Erion Veliaj në debat publik.
“Wanted Erion Veliaj për debat me Belon, ta gjeni ku është dhe ku s'është”, shkruhet në këto postera.
Por në vend të një përgjigjeje për këtë ftesë publike kryebashkiaku ka zgjedhur që të mobilizojë gjithë trupat e policisë bashkiake për të hequr posterat e djeshëm.
Lajmin e bën me dije Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i cili publikon dhe pamjet nga aksioni i urdhëruar nga Veliaj, teksa shprehet se Policia e Bashkisë, është vënë në shërbim të partisë.
“Policia e Bashkisë, në shërbim të partisë!
Në fakt duhet të jenë ditë dhe natë në shërbim të qytetarëve, por edhe në ditët e fundit, Erion Veliaj i depersonalizon duke i detyruar të lajnë dhe pastrojnë fytyrën e tij dhe të Edi Ramës në billborderat e Tiranës, ku qytetarët kanë ngjitur thirrjen e tyre për të pranuar debatin publik me Belind Këlliçin!
Më mirë se t'i grisni, mblidhini ftesat dhe çojani Erionit në zyrë, bashkë me kërkesën: Dil në debat me Belon o frikacak, boll u fshehe skutave!”, shkruan në komentin bashkëngjitur fotove kandidati për anëtar në Këshillin Bashkiak të Tiranës në zgjedhjet vendore të 14 majit, Tedi Blushi.