Kryebashkiaku i PS-së i arrestuar për abuzime në tendera do të vizitohet nga mjekët ligjorë nëse vuan apo jo nga zemra

Ish-kryetari i Bashkisë së Bulqizës, i cili prej datës 16 mars qëndron në burg do ti nënshtrohet ekspertizës së mjekësisë ligjore.

Vendimin e ka dhënë Gjykata e Posaçme pas kërkesës së tij për kalimin në arrest shtëpie për shkak të problemeve me shëndetin.

Për këtë qëllim këtë të enjte janë caktuar dhe dy mjekët që do të kryejnë analizat dhe që më pas do të hartojnë dhe raportin që do ti shërbejë togave të zeza.

Lefter Alla dhe 12 persona të tjerë u ndaluan me akuzën e korrupsionit dhe abuzimit me tenderat.

Bëhet fjalë për prokurimin me një vlerë prej rreth 3 milionë eurosh me të cilin do të ndërtohej Ujësjellësi i qytetit.

Ofertën sipas akuzës e fitoi kompania 2AF Albania shpk porse punimet i realizonte një tjetër subjekt ku janë ngritur dyshime se ishte mik me Kryebashkiakun. 

Një muaj pas ndalimit, Alla u dërgua në spital për shkak të problemeve të shfaqura, teksa paralelisht me këtë kërkoi dhe rrëzimin e akuzës në Gjykatën e Apelit.

Madje avokatët kanë deklaruar se do të ndjekin të gjithë shkallët e gjyqësorit për të rrëzuar që në bazë pretendimet e prokurorisë.

Gjithësesi do të jetë rezultati i dy mjekëve që do të saktësojnë nëse Alla mund të vazhdojë trajtimin në kushtet e qëndrimit në burg apo do të duhet të ketë një masë më të lehtë për të marrë kujdesin shëndetësor deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

mjeket tendera bashkia bulqizë bulqizë lefter alla

EMISIONET