Muçi: Qeveria po sulmon protestuesit në rrjetet sociale në vend të përgjigjeve politike
Në emisionin “Ora e Betit” në Ora News, i ftuar ishte deputeti Redi Muçi, i cili komentoi zhvillimet e fundit pas protestave të qytetarëve në Tiranë dhe reagimin e institucioneve shtetërore.
Muçi tha se përgjigjja e qeverisë ka ardhur me vonesë dhe nuk adreson kërkesat e protestuesve, por është zhvendosur në sulme ndaj individëve në rrjetet sociale.
“Në vend që të ketë një përgjigje politike për atë që po ndodh në sheshe, institucionet po zgjedhin të merren me individë të caktuar dhe të hedhin baltë mbi protestuesit. Kjo tregon mënyrën se si po menaxhohet situata.”-tha Muçi.
Ai shtoi se kjo qasje, sipas tij, tregon një degradim të komunikimit publik nga ana e institucioneve shtetërore.
“Kur një protestë masive zgjat për javë të tëra dhe reagimi nuk është politik, por personal, kjo tregon se mungon drejtimi i situatës dhe përgjegjësia institucionale. Debati po zhvendoset në rrjete sociale në vend të zgjidhjes së problemeve.”- shtoi deputeti.
Gjatë diskutimit u fol edhe për argumentet e dhëna publikisht nga kryeministri në lidhje me protestat, të cilat Muçi i cilësoi si të paqarta dhe që nuk sjellin ulje të tensioneve, por rrisin më tej debatet publike.


