Familja e aktorit Gjergji Lala kallëzon spitalin në Romë! Prokuroria italiane hap hetim për vr*sje nga pakujdesia

Vdekja e aktorit shqiptar Gjergji Lala në Poliklinikën “Umberto I” në Romë ka çuar në hapjen e një hetimi nga Prokuroria italiane, pas një kallëzimi të bërë nga familjarët e tij ndaj spitalit ku ai u trajtua.
Sipas familjarëve të 78-vjeçarit, aktori ka ndërruar jetë pa marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, një pretendim që ka çuar autoritetet italiane të regjistrojnë procedimin për veprën penale të “vrasjes nga pakujdesia”.
“Babai ynë vdiq para syve tanë, pa bërë askush asgjë për ta ndihmuar”, thuhet në kallëzimin e familjes, sipas mediave italiane.
Për momentin, nuk ka persona nën hetim. Prokuroria e Romës pritet të analizojë rezultatet e autopsisë për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes dhe për të vendosur nëse do të ketë përgjegjësi penale ndaj personelit mjekësor.
Sipas raportimeve, aktori kishte mbërritur në gjendje të rënduar në spital, pasi më herët ishte trajtuar për probleme serioze shëndetësore, përfshirë komplikacione në veshka dhe një ndërhyrje kirurgjikale për një tumor në fshikëzën urinare.
Gjatë qëndrimit në spital, gjendja e tij u komplikua më tej, duke përfshirë edhe një frakturë në femur dhe infeksione bakteriale, mes tyre Klebsiella, që sipas mediave italiane e dobësuan ndjeshëm organizmin e tij.
Familjarët pretendojnë se përkeqësimi ka ardhur si pasojë e mungesës së kujdesit të duhur mjekësor, ndërsa hetimi do të përcaktojë nëse ka pasur neglizhencë gjatë trajtimit.
Gjergji Lala, i lindur në Lushnje më 1947, ishte një aktor dhe regjisor i njohur shqiptar, me një karrierë të gjatë në teatër dhe film. Ai është bërë i njohur për rolin e Mihal Gramenos në filmin “Liri a vdekje”, si dhe për pjesëmarrje në prodhime ndërkombëtare si “Don Matteo”, “House of Gucci” dhe “Gangs of New York”.
Autoritetet italiane pritet të vijojnë hetimet pas rezultateve të ekspertizave mjeko-ligjore, të cilat do të përcaktojnë nëse vdekja e tij lidhet me komplikacione natyrale apo me përgjegjësi të mundshme mjekësore.

