Protestë për mungesën e ujit, banorët e Kreshpanit denoncojnë mungesën e ujit prej vitesh

Dhjetëra banorë të fshatit Kreshpan, në njësinë administrative Cakran të Fierit protestuan për mungesën e ujit të pijshëm, një problem që sipas tyre vazhdon prej vitesh.
Burimi i vetëm i ujit mbetet çezma e fshatit, nga e cila furnizohen jo vetëm banorët e Kreshpanit, por edhe të disa zonave përreth.
Edhe pse, sipas banorëve, janë kryer investime në rrjetin e ujësjellësit, situata mbetet e pandryshuar. Ata thonë se vijojnë të paguajnë rregullisht faturat e ujit, ndërsa nuk marrin shërbimin për të cilin paguajnë.
Sipas tyre, rreth 400 familje përballen çdo ditë me mungesën e ujit të pijshëm. Pavarësisht ankesave të vazhdueshme pranë institucioneve përgjegjëse, nuk kanë marrë asnjë zgjidhje konkrete.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej tyre lidhet me praninë e koshave të mbeturinave pranë çezmës së fshatit, duke shtuar frikën për rrezikun e ndotjes dhe përhapjes së infeksioneve.

