Ministri i Jashtëm takim me Kaja Kallas/ Hoxha: Forcim i Partneritetit me BE, Shqipëria një aleat i besuar për sigurinë evropiane
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, pati takimin e parë në këtë cilësi në Bruksel me Zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesen e Lartë të BE për Punët e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.
Shefi i diplomacisë shqiptare në reagim në X tha se në takim rikonfirmoi linjëzimin e plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, duke reflektuar angazhimin e palëkundur ndaj parimeve dhe përgjegjësive që vendi ynë ndan me partnerët evropianë.
"Shqipëria mbetet një partner i fuqishëm dhe i besueshëm i Bashkimit Evropian, duke mbrojtur me vendosmëri vlerat që qëndrojnë në themel të projektit tonë të përbashkët evropian dhe duke kontribuar aktivisht në stabilitetin rajonal dhe në sigurinë e kontinentit evropian", tha Hoxha në reagim.
Sipas Ministrit të Jashtëm, Shqipëria si një anëtare e përkushtuar e NATO-s dhe një vend kandidat i angazhuar për anëtarësim në BE, mbetet e gatshme të kontribuojë më tej në sigurinë tonë kolektive përmes forcimit të kapaciteteve dhe gatishmërisë së saj, mbështetjes së menaxhimit të krizave dhe rritjes së qëndrueshmërisë sonë të përbashkët, duke kontribuar gjithashtu në forcimin e rolit të Bashkimit Evropian në skenën globale.
"Në këtë fazë të rëndësishme të rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, forcimi i Partneritetit për Sigurinë dhe Mbrojtjen me BE-në, tashmë në vitin e tij të dytë, dëshmon vendosmërinë tonë për të thelluar dialogun dhe për të rritur bashkëpunimin praktik në mbështetje të qëndrueshmërisë strategjike dhe kapaciteteve mbrojtëse të Evropës", shtoi më tej Hoxha.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme, përfaqësuesja e lartë e BE vlerësoi Shqipërinë për linjëzimin e plotë me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, çka sipas saj e bën ndër të tjera Shqipërinë një aleat serioz për vetë Unionin.


