FOTO/ “Zvarrë rrugëve të Tiranës“, hakerimi i e-maileve zbulon gjuhën denigruese ndaj SPAK

Hakerimi i email-eve të disa deputetëve të Republikës së Shqipërisë nga grupi i njohur si HomeLandJustice ka nxjerrë në pah një mori sulmesh të dërguara kundër disa prej prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.
Një prej email-eve, që Ora News disponon, mban datën 5 mars 2026, ku një shtetas i identifikuar si Ilir Hitaj i dërgon email Klodian Brahos dhe, njëkohësisht, edhe kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi.
Në emailin e dërguar rreth orës 00:59, me titull “Klodian, me sa duket SHBA duhet të nisë heqjen tende zvarrë rrugëve të Tiranës”, mbartet një gjuhë denigruese ndaj drejtuesit të SPAK. Po nga email-et rezulton se ky person, përveç gjuhës denigruese, ndonjëherë përdor edhe gjuhë kërcënuese.
Në brendësi të email-it, shtetasi i identifikuar si Ilir Hitaj shpreh gjuhë ofenduese edhe ndaj prokurorëve Altin Dumani, Bledi Maksuti dhe prokurores Elida Kackini.

Rasti ngre shqetësim për përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe fyerjeve në komunikimet që i drejtohen institucioneve të drejtësisë, veçanërisht ndaj drejtuesve të tyre. Mesazhet në fjalë janë bërë objekt diskutimi për shkak të tonit agresiv dhe përmbajtjes denigruese që ato përmbajnë.


