Ministrat e rinj në pritje të dekretit të Presidentit, Kuvendi mblidhet sot pasdite në seancë të posaçme

Pas ndryshimeve në qeveri, mblidhet sot Kuvendi në një seancë të posaçme për miratimin e kabinetit të ri qeveritar.

Teksa sot pritet që presidenti të dekretojë këto ndryshime, pasditen e sotme, në orën 18:00 do të mblidhet Kuvendi, edhe pse e enjtja dhe e premtja e kaluar ishte seanca e fundit për këtë sesion.

Deputetët do të votojnë këto ndryshime në qeveri, që u njoftuan nga kryeministri Edi Rama gjatë Kongresit Zgjedhor të PS-së ditën e diel.

Ndryshimet në qeveri
Taulant Balla i lë vendin Ervin Hoxhës, drejtor i IKMT, te Ministria e Brendshme dhe shkon te Ministria e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin.

Vetëm disa çaste më parë, kreu i qeverisë kishte njoftuar se Elisa Spiropali do të propozohej për kryetare të Kuvendit, pas dorëheqjes së Lindita Nikollës.

Ndryshimet prekin edhe strukturën e grupit parlamentar socialist, pasi Bledi Çuçi do të votohet për nënkryetar të Kuvendit, duke pasuar në këtë detyrë Ermonela Felajn.

Niko Peleshi u largua nga ministër i Mbrojtjes për të zëvendësuar Bledi Çuçin në krye të grupit parlamentar të PS.

Kryetare e Kuvendi- Elisa Spiropali, Zëvendëson Lindita Nikollën
Nënkryetar i parlamentit- Bledi Çuçi, Zëvendëson Ermonela Felaj
Kryetar i grupit të PS- Niko Peleshi, Zëvendëson Bledi Çuçin
Ministër Shteti për Parlamentin- Taulant Balla, Zëvendëson Elisa Spiropalin
Ministër i Brendshëm- Ervin Hoxha, Zëvendëson Taulant Ballën
Ministër i Financave, Petrit Malaj, Zëvendëson Ervin Meten
Ministër i Mbrojtjes- Pirro Vengu, Zëvendëson Niko Peleshin.

EMISIONET