Malaj ndaj qeverisë: E babëzitur për pushtet absolut, po vr*t të ardhmen e Shqipërisë

I ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News", ishte profesori Arben Malaj, i cili ka refuzuar kategorikisht çdo lloj vlerësimi nga lidershipi aktual.
Sipas Malajt qeveria e sotme është si "e babëzitur" dhe me synime për një pushtet absolut politik, veprime këto që po vrasin të ardhmen e Shqipërisë.
Në intervistë ai theksoi se ngjarjet e fundit janë thjesht një fotokopje e metodave të vjetra, të ngjashme me kohën kur shpalleshin "armiq të partisë" pikërisht ata që e kishin themeluar atë.
Ndërkohë, situata e protestave në vend po merr përmasa të reja. Pas gjashtë ditësh demonstrime në Tiranë, revolta është shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit, përfshirë Durrësin dhe Korçën. Në Vlorë, tensionet kulmuan kur protestuesit u penguan nga autoritetet që t'i afroheshin sheshit të Flamurit gjatë mbajtjes së një ceremonie zyrtare.
" Kam deklaruar publikisht dhe deklaroj që unë nuk marr asnjë vlerësim nga një lider aktual i cili është përfaqësues i një qeverie të babëzitur, për pushtet absolut dhe politik, duke vrarë të ardhmen e Shqipërisë. Kështu që unë kam integritetin tim, respektoj të gjithë ata që më kanë mbështetur që ditën e parë kur kam qenë nënkryetar i Partisë Socialiste në Vlorë. Nuk më habisni këto sepse janë të njëjtat fotokopje të qëndrimeve të dikurshme kur shpalleshin armiq të partisë ata që e themeluan partinë. Por nuk do ta pranoja kurrë dhe publikisht nuk do ta merrja. Kështu që s'kam asnjë keqardhje.
Së pari le të sqarojmë diçka. Partia Socialiste e Vlorës e ka bërë festën e saj përpara disa ditëve. E dyta, nuk ka festë nëpër sheshe ku jepen vlerësime. Këtë nuk e bënte as shoku Enver, as nuk i mblidhte në stadium siç i mbledh Rama, por ka një protokoll të caktuar, bëhet në një ambient të mbyllur, që të përcillet mesazhi, që të ndihet gëzimi. Ky është një miting tipik si ato që po bëhen në Ballkan, që mbretërit kryeministrorë apo presidencialë të Ballkanit Perëndimor, nxisin protesta për të rritur agresivitetin shoqëror dhe politik dhe sigurisht që këta janë udhëheqës që mbijetojnë duke nxitur kriza, jo duke qeverisur vendin dhe duke reduktuar krizat. Kështu që mos t'i vëmë këtë emër se është turp për vlonjatët që të tregohen kaq të paqartë dhe duke protestuar në heshtje, që Vlora keqpërdoret thjesht dhe vetëm për qëllime partiake dhe thjesht për mbretin tonë këtu", u shpreh Malaj.
Ndiqni intervistën e plotë:

