Kriza brenda LDK/ Zërat kundër Abdixhikut preferojnë Lutfi Hazirin

E ardhmja e udhëheqjes dhe liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës pritet të përcaktohet në Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë, por deri tani nuk është bërë publike data e këtij zhvillimi.
Pas nismës së delegatëve për thirrjen e Kuvendit dhe dorëzimit të nënshkrimeve të nevojshme, brenda LDK-së po “ziejnë” zërat për drejtimin e ardhshëm të saj.
Delegatja e Kuvendit të Lidhjes Demokratike, Shqipe Pantina, thotë se partia ka nevojë për ndryshim të lidershipit dhe të qasjes politike, me qëllim që të rikthehet si subjekt fitues në nivel vendi.
Madje ajo ka një propozim konkret për kryetar, atë të Lutfi Hazirit, nënkryetarit aktual.
“Në rrethanat çfarë jemi aktualisht, unë mendoj se Lutfi Haziri do të ishte një person i duhur për ta drejtuar LDK-në, të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme dhe pastaj të jetë gara e hapur”, tha Shqipe Pantina.
Edhe ish-kandidati nga diaspora për deputet nga LDK-ja, Niq Krasniqi, thekson se mbledhja e nënshkrimeve nga delegatët e bën të pashmangshme mbajtjen e Kuvendit.
“Kultura e bashkëpunimit duhet të mbizotërojë edhe në kuvendin e jashtëzakonshëm dhe kjo është pika bazike sa i përket procesit. Kurse për epilogun, ky kuvend duhet të prodhojë një situatë. Nga ky kuvend nuk duhet të dilet pa një kryetar, qoftë rikonfirmim i kryetarit Abdixhikut ose qoftë për të zgjedhur një kryetar tjetër”, tha Niq Krasniqi.
Kërkesa për votëbesim ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, është iniciuar pas pakënaqësive të shfaqura brenda partisë lidhur me rezultatin e dobët të subjektit në zgjedhjet e 7 qershorit.
