Kush do të regjistrohet në zgjedhjet e 14 majit: PD-ja e Berishës, apo e Alibeajt? KQZ i vë sot vulën debatit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendos sot mes Enkelejd Alibeajt dhe Sali Berishës se cila prej dy Partive Demokratike do të zyrtarizohet në zgjedhjet vendore të 14 majit. Kërkesat janë parashikuar për t’u shqyrtuar në seancë, ndërsa pezull mbeten emrat që do të jenë në KZAZ
Dilema se cili nga fraksionet e Partisë Demokratike do të regjistrohet në zgjedhjet e 14 majit do të shuhet mesditën e sotme.
Kjo pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka vendosur në pikën e gjashtë dhe të shtatë të rendit të ditës këtë çështje ku dhe ndryshimi është i qartë. Bëhet fjalë për kërkesat për regjistrimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe thjesht Partisë Demokratike.
Në këtë mënyrë është marrë në konsideratë si kërkesa e paraqitur nga Enkelejd Alibeaj i cili është autorizuar nga Lulzim Basha, ashtu dhe ajo e Sali Berishës.
I pari ka në dorë vendimin e Gjykatës së Apelit dhe i dyti Shkallën e Parë, por dhe nisjen e ankimimit në gjykatën e lartë veprim që pritet të ndërmerret po sot.
Megjithatë ende KQZ nuk ka shqyrtuar dokumentin për regjistrimin e anëtarëve të Komisioneve Zonale të administrimit të zgjedhjeve. Edhe në këtë rast janë dy lista të palëve të selisë blu.
Mësohet se për emrat që do të ketë selia blu në qendrat e votimit dhe të numërimit vendimi mund të merret vetëm pas regjistrimit të partisë. Por ende në tryezë qëndrojnë të tre variantet.
Pranimi i kërkesës së Alibeajt, të Berishës apo të mos regjistrimit të asnjë prej tyre duke e kaluar çështjen në një strukturë më të lartë.
Ndërkaq ditën e djeshme ka pasur një aktivizim personal të ambasadores aamerikane në vendin tonë Yuri Kim, e cila zhvilloi takime të veçanta me krerët e partive të mëdha në vend, por jo me Sali Berishën, pasi në vend të tij ajo u mjaftua me bisedën në Kryesinë e Kuvendit me njeriun e autorizuar nga Lulzim Basha për të ushtruar kompetencat e kryertarit të partisë, Enkelejd Alibeaj.