“Korrupsion zgjedhor” në Rrogozhinë, GJKKO kalon për gjykim dosjen e kryebashkiakut Edison Memolla
Gjykta e Posaçme ka vendosur të kalojë për gjykim dosjen ndaj Edison Memollës, kryetarit të Bashkisë Rrogozhinë.
Gazetari Edison Vatnikaj raporton për “Ora News” se çështja e Memollës do të shqyrtohet përmes gjykimit të zakonshëm.
Dosja “Memolla”
Edison Memolla është nën akuzë për korrupsion në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022.
Hetimi për të ka nisur muaj më parë në lidhje me një denoncim që është bërë ndaj kryebashkiakut.
Sipas informacioneve që vijnë nga SPAK-u, bëhet me dije se bëhet fjalë për një përgjim, sipas të cilit, pretendohet se Memolla paguante faturat e energjisë elektrike të qytetarëve të Rrogozhinës në këmbim të votave.
Regjistrimi i bisedës telefonike raportohet se është bërë në prag të zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit 2022. Memolla është kapur në një audio-përgjim, duke ndërhyrë tek OSHEE-ja për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një familjeje të varfër.
Në një bisedë telefonike me një grua, Memolla konfirmon se ishte takuar më herët me telefonuesen, së cilës i kishte garantuar mosndërprerjen e energjisë, në këmbim të votës për zgjedhjet e 6 marsit.
E më pas në telefon del elektricisti që kishte shkuar për ndërprerjen e energjisë, të cilit Memolla i kërkon që të mos ia ndërpresë energjinë.
Madje, Memolla e orienton elektricistin që pasi të kalojnë zgjedhjet, mund të vepronin. Të gjitha këto prova të hetuara nga SPAK-u kanë rënduar pozitën e kryebashkiakut, të cilit i është komunikuar dje edhe akuzua e korrupsionit në zgjedhje. Për këtë akuzë, Memolla po hetohet nga prokurori Edvin Kondili.
Më herët në prill të këtij viti kryebashkiaku është paraqitur në SPAK mbi dyshimet se ka bërë punësime fiktive në bashki pikërisht në kohën e fushatave elektorale.
Hetimet ndaj dy kryebashkiakëve socialistë janë në vazhdën e një sërë hetimesh të tjera në lidhje me korrupsionin dhe shkeljet e barazisë në tenderë, që duket se janë kthyer edhe në gangrenën që po ‘ha’ kryebashkiakët në të gjithë vendin.
SPAK-u ka nisur një praktikë të gjatë për sekuestrimin e dokumenteve që kanë të bëjnë me dyshimet e tyre në një sërë zyrash të bashkive të vendit.