Kallëzim për dhunimin e protestuesve, Balla "shmang" Ervis Martinajn: Askush të mos guxojë të ngrejë dorë kundër Policisë
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar pas paralajmërimit të kreut të grupit të opozitës, Gazment Bardhi, se do të padisë efektivët që dyshohet se dhunuan protestuesit gjatë tubimit të “Rithemelimit” më 20 shkurt.
Balla deklaroi nga Korça, se askush të mos guxojë të ngrejë dorë kundër Policisë së Shtetit pasi do të përballet me ligjin.
Ministri Balla u shpreh se protestuesit kanë pasur qasje dhune ndaj efektivëve dhe institucioneve gjatë protestës së opozitës para Kryeministrisë.
“Është në të drejtën e çdo qytetari të vendit që të kallëzojë dhe i takojnë institucioneve të drejtësisë që ti shqyrtojnë ato me vëmendjen më të madhe.
Por besoj biem të gjithë dakord që aktualisht në Shqipëri ka dy palë, një palë të rreshtuar kundër reformës në drejtësi dhe kundër drejtësisë dhe një palë tjetër që po bën gjithçka që reforma në drejtësi të shkojë përpara dhe mendoj se policia e shtetit në rasti që ju referoni ka bërë detyrën dhe vetëm detyrën.
Unë e kam thënë sa herë më është dhënë mundësia, askush të mos guxojë të ngrejë dorë kundër policisë së shtetit, ligji është shumë i qartë dhe kushdo që do tentojë të ngrejë dorën kundër policisë së shtetit do përballet me ligjin.
Në rastin në fjalë ka pasur një qasje dhune ndaj policisë së shtetit dhe ndaj institucioneve”, tha Ministri Balla.
Zhdukja e Martinajt
Vijon të mbetet mister zhdukja e bosit të kazinove Ervis Martinaj. Ministri i Brendshëm deklaroi se po vijon puna për zbardhjen e ngjarjes. Nga qyteti i Korçës ku Balla shkoi për analizën e drejtorisë së policisë së këtij qyteti e quajti një krim të pazbardhur për të cilin ende vijojnë hetimet.
Pyetje: Deri ku janë hetimet për sa i përket dosjes së Ervis Martinajt? Ju keni vënë, të paktën, disa afate për Policinë e Shtetit për të kthyer një përgjigje, por duket se këto afate ende nuk e kanë nxjerrë fatin e tij...
Ministri Balla: Unë i qëndroj bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm, të gjitha angazhimeve publike që kemi marrë. Të jeni të sigurt që Policia e Shtetit e bën detyrën e saj, 24 orë, çdo ditë, edhe ndaj këtij angazhimi, për t’i shkuar deri në fund, jo vetëm kësaj çështjeje, por çdo çështjeje tjetër të pazbardhur. Pjesë e analizës sonë sot, me DVP Korçë, do të jenë edhe ngjarje të vjetra kriminale, në Korçë, të pazbuluara.
Ervis Martinaj vijon të jetë i zhdukur prej gushtit të 2022 dhe policia ende nuk ka dalë me një deklaratë mbi fatin e tij.
Dhuna në familje dhe ndaj grave
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, nga Korça u bëri thirrje të gjitha vajzave, grave dhe nënave të denoncojnë çdo lloj dhune.
Në një prononcim për mediet, Balla tha se Policia e Shtetit ka një qasje të re ndaj këtij fenomeni dhe për këtë arsye ai kujtoi se një pjesë e pronave të sekuestruara dhe konfiskuara nga krimi po vendosen në shërbim të organizatave joqeveritare, duke i kthyer në strehëza apo në shtëpi për vajzat, gratë e dhunuara.
Sipas tij, beteja ndaj dhunës nuk është vetëm e Policisë, por e të gjithë shoqërisë.
Në kuadër të sensibilizimit, Balla kujtoi dhe paketën e “Sigurisë në shkolla”. Ai, teksa ishte i pranishëm në gjimnazin “Raqi Qirinxhi” në Korçë, nga ku u bëri ftesë të gjithë nxënësve të denoncojnë çdo fenomen dhune që hasin apo kanë dijeni.
Ministri i Brendshëm kujtoi dhe vendimin e qeverisë për të forcuar kompetencat e Prefektit.
Pyetje: Në Durrës ka patur një krim brenda familjes, por edhe në disa raste që ka patur qarku i Korçës. Cili është reagimi i institucioneve që ligji i ngarkon me përgjegjësi për rastin?
Ministri Balla: Viti 2023 ka qenë një vit me ngjarje të rënda të krimit brenda familjes dhe po ashtu një numër i rritur i dhunës në familje kjo dhe për shkakun se policia është munduar të identifikoj të gjitha rastet që kemi pasur sinjalizime. Dua të komunikoj me ju faktin se tashmë kemi një protokoll tërësisht tjetër nga Policia e Shtetit lidhur me konstatimin më të parë të një shqetësimi apo të një ankese, përsa i përket dhunës në familje, kryesisht bëhet fjalë për dhunë me bazë gjinore, dhunë seksuale. Unë nxis çdo vajzë, çdo grua, çdo nënë të këtij vendi që të denoncoj rastet e dhunës dhe dua ta garantoj që jo vetëm Policia e Shtetit përsa i përket pjesës që i takon, por edhe institucionet e tjera ju e keni parë dje ne kemi filluar dje një qasje të re sa i përket pronave të sekuestruara dhe konfiskuara nga krimi dhe korrupsioni do mundohemi që një pjesë të këtyre pronave t’i vendosim në shërbim të organizatave jo qeveritare, të cilat të kthehen në strehëza apo në shtëpi për vajzat, gratë e dhunuara.
Kjo betejë nuk është një betejë që mund ta fitoj vetëm Policia e Shtetit. Policia e Shtetit është aty për të bërë ndërhyrjen e parë dhe natyrshëm për të vendosur para ligjit dhunuesin, por kjo është diçka që unë mendoj duhet t’i bëjmë një apel gjithë shoqërisë tonë. Lufta kundër dhunës seksuale, dhunës me bazë gjinore nuk është diçka që zhvillohet dy javë kur mblidhen gjithë shoqatat e këtij vendi për të sensibilizuar. Unë mendoj që kjo duhet bërë çdo ditë dhe ju mediat keni një meritë të veçantë sikurse keni dhe një përgjegjësi të madhe për të sensibilizuar dhe për ta bërë shoqërinë sa më të bashkuar kundër këtij fenomeni të papranueshëm.
Kështu që në këtë aspekt isha sot këtu në një prej shkollave më me emër të Korçës sikurse është ‘Raqi Qirinxhi’, nga e cila jo vetëm kanë dal një numër i madh personalitetesh me një kontribut të shquar jo vetëm për Korçën, por për gjithë vendin për të diskutuar me djemtë dhe vajzat e kësaj shkolle edhe për sa i përket Paketës së Sigurisë në shkolla. Besoj që biem të gjithë dakord se kjo paketë po jep dita-ditës efektet e mirëpritura nga komuniteti, nga publiku sa i përket garantimit që çdo vajzë dhe çdo djali i Korçës që frekuenton këtë shkollë apo shkolla të tjera të jetë i garantuar jo vetëm sa i përket sigurisë brenda në shkollë, por ne po punojmë bashkë me institucionet e tjera për të garantuar sa më shumë siguri në komunitete. Kemi miratuar kësaj jave në mbledhjen e qeverisë ligjin e ri, ndryshimet për në Ligjin e Prefektit për të ngritur shumë shpejtë Këshillat Vendor të Sigurisë Publike përmes të cilave do të garantojmë një koordinimi më të mirë të të gjithave institucioneve të sigurisë, agjencive ligj zbatuese dhe institucioneve të tjera për më shumë siguri dhe për më shumë një qasje pro aktive në parandalimin e çdo ngjarje kriminale.
Një koordinim më të mirë të të gjithë institucioneve të sigurisë, agjencive ligjzbatuese dhe institucioneve të tjera, për më shumë siguri, për një qasje proaktive në parandalimin e çdo ngjarjeje kriminale.