Pas denoncimit në “Ora News”, tërhiqet “ONE”. Kompania kompenson abonentin
Ndërprerja e sinjalit pa asnjë lloj paralajmërimi dhe detyrimi i abonentit të kompanisë “ONE” për të paguar një faturë që e kishte likujduar, ka bërë që shtetasi Azmer Duleviç në dhjetor 2023 t’i drejtohet televizionit “Ora News”.
Azmer Duleviç, abonent i “ONE”: “Kam një kontratë me “ONE”, një ditë të bukur mua më mbyllen numrat e biznesit. Dhe kisha një numër, e hoqa atë numër, e kalova në numër normal dhe bëra një numër të ri. Komunikoj me agjenten, më kërkon ndjesë dhe më thotë “është bërë gabim, pa merak do ta zbresim”. Dhe faktikisht m’u zbrit nga fatura dhe vazhdoja pagesat çdo muaj normalisht. Para disa ditësh shikoj që numrat nuk ishin në shërbim. Ishin bllokuar numrat. Pra, unë u detyrova, pagova këtë diferencë të gabimit në mënyrë që të më rikthehej përsëri shërbimi. Në këto orë që unë mbeta pa shërbim mund të më kenë ikur klientë dhe është shkaktuar dëm financiar në biznesin tim. Kur kjo nuk është rasti i parë, kjo kompani edhe sa kohë do të vazhdojë t’i vjedhë qytetarët?! Në momentin që unë kërkoj shpjegim: “Pse?”, ti nuk më jep shpjegim. Dhe e dyta, kur unë të kërkoj kontakte të mëtejshme si ta zgjidh këtë problem për të mos paguar faturën. Ti si kompani më thua “nuk ta jap se nuk na lejojnë”. Aty vura re një arrogancë të tepruar për mendimin tim. Çfarë është kjo përgjigje: “nuk të jap kontaktet”? Ku do ankohem unë?”
Ky nuk ka qenë një rast i izoluar, pasi në kronikën e transmetuar kanë qenë me dhjetëra qytetarë, të cilët kanë komentuar se kanë probleme të ngjashme, madje si zgjidhje kanë parë derën e prokurorisë për të denoncuar shkeljet.
Denoncimin e abonentit të kompanisë “ONE”, “Ora News” e ka referuar në AKEP, duke i vendosur në dispozicion këtij institucioni të gjitha provat që dispononte.
Pasi AKEP ka marrë në shqyrtim ankesën na ka bërë me dije se i ka kërkuar kompanisë sqarime për këtë rast.
“ONE” ka pranuar faktin që abonenti ka paguar një detyrim që nuk e ka pasur, dhe për këtë arsye do t’i bëhet zbritja në muajin në vazhdim.
Vetëm pasi rasti u bë mediatik dhe AKEP kërkoi sqarim të “ONE” çështja mori zgjidhje dhe abonentit iu hoqën detyrimet që nuk i kishte.
AKEP na ka bërë me dije, gjithashtu, se për shkak të një numri të konsiderueshëm ankesash nga qytetarët në vitin 2023 është vendosur gjoba dhjetë milionë lekë ndaj kompanisë “ONE” në tetor të vitit 2023.
Pavarësisht kësaj gjobe, “ONE” vijon t’i ndërpresë sinjalin klientëve pa asnjë lloj paralajmërimi. Për më tepër, i bën presion abonentëve të paguajnë detyrime që nuk i kanë.