Lojërat e Fatit, Pampuri: Një tjetër nismë korruptive e klienteliste e qeverisë
Nënkryetarja dhe deputetja e Partisë Demokratike, Oriola Pampuri u shpreh sot se, “ligji i ri “Për Lojërat e Fatit” është një tjetër nismë korruptive e klienteliste e kësaj qeverie”.
Në një deklaratë për mediet, Pampuri u shpreh se, ligji për lojërat e fatit ka anashkaluar konsultimet me grupet e interesit dhe qytetarët.
“Në harkun kohor prej 5 vitesh qasja e qeverisë pati një ndryshim rrënjësor ndaj “basteve sportive”, nga denigrimi si e keqja më e madhe nën të ashtuquajturën “fundi i marrëzisë” në vitin 2018, e ndërsa tani, i rikthen, por duke parashikuar promovim mediatik dhe besnikërinë e klientëve”, tha ajo.
Pampuri u shpreh se, “ligji kaloi me nxitim në Kuvend javën që shkoi, duke anashkaluar çdo lloji konsultimi me grupet e interesit dhe qytetarët”.
Sipas saj, mbeten së paku 5 çështje problematike që ky ligj do të krijojë.
“Së pari, ky ligj i ri nuk do të kufizojë përdorimin e lojërave të fatit nga moshat e reja. Edhe pse parashikohet se çdo individ përdorues duhet të jetë mbi 21 vjeç, në fakt tashmë me një infrastrukturë që deri tani ka funksionuar në kushte jo ligjore, abuzuese, pavarësisht se online në thuajse çdo lagje të qyteteve të Shqipërisë, lehtësisht e aksesueshme për çdo moshë, sërish këto pika do të vijojnë të bëhen vend frekuentimi i personave nën 21”, tha ajo.
Pampuri theksoi se, “ligji duhet të parashikonte gjurmimin e burimit të të ardhurave të transaksionit për çdo biletë që luhet nga bastet sportive online”.
Ajo shtoi se, “tavani taksues është jo në përputhje me shumicën e vendeve të BE. Kujtojmë që në Gjermani, në varësi të landeve, aplikohet një taksim nga 20 deri në 80 % të ardhurave, si dhe një takse shtesë në nivelin lokal, deri në 20 %. Ndërsa në rastin e Shqipërisë për bastet sportive do të aplikohet taksim 15 % i të ardhurave bruto, duke i hequr dhe masën prej 0.4 % të xhiros për qëllime e programe të Ministrisë përkatëse të Sporteve”.
Pampuri u shpreh se, “në çdo legjislacion të vendeve të BE, por jo vetëm, nuk parashikohet asnjë lloj fondi i mbledhur nga një taksim i veçante mbi përgjegjësinë sociale. Duhet të kuptohet që ky lloj aktiviteti “argëtues” pavarësisht se mund të rregullohet me ligj, mund të sigurojë edhe të ardhura të majme buxhetit të shtetit, sërish është ndër veprimtaritë “legale” e cila krijon më shumë varësi të parikuperueshme në grupmoshat më vulnerabël të popullatës dhe ka tendencë degjeneruese të dhunës në familje apo plagëve të tjera socio-ekonomike të shoqërisë tonë”.
Pampuri gjithashtu theksoi se, “promovimi mediatik, përtej lirive të tregut dhe sipërmarrjes, mund të ketë një ndikim negativ dhe varësie tek moshat nën 21 vjeç, të cilat do të jenë më të predispozuar të luajnë, nëpërmjet rrjetit tashmë të krijuar prej basteve fizike që operojnë në paligjshmëri ende sot”.