I pandehuri i SPAK-ut, Plarent Ndreca vazhdon "këngën" e vjetër në GJKKO

Avokati i Erion Veliajt, i pandehuri i SPAK-ut në GJKKO, në gjykim për çështjen e rindërtimit të disa komisariateve, Plarent Ndreca, sot ka vazhduar përsëri “këngën” e vjetër në seancën gjyqësore.
Ndërkohë që flitet për gjyq të shkurtuar, për barazi përpara ligjit, për faktin që Erion Veliaj kërkon të ketë një gjyq të ndershëm e të hapur, që të provojë pafajësinë e tij, vazhdojnë skenarët për shtyrjet e seancave.
Plarent Ndreca përsërit të njëjtën “këngë” të vjetër, “duam seancë me kamera live”. Në fakt, GJKKO nuk është “show” politik si ato që bënte Erion Veliaj për propagandë, ndërkohë që hante e pinte diku, nëpër medie shfaqeshin live takime të tij të fuqishme apo inaugurime.
Ashtu siç ndodhi, në fakt, edhe ditën e arrestimit, ku mediet po transmetonin një inaugurim të tij, kur në të vërtetë Erion Veliaj ishte në zyrë në Bashkinë e Tiranës dhe iu vunë prangat.
Vazhdon e thotë Plarent Ndreca se nuk i janë dhënë fashikujt. Në fakt, të gjitha materialet janë marrë në mënyrë elektronike. Me vendim të gjykatës i janë çuar edhe të printuara. Erion Veliaj fillimisht refuzoi t’i merrte, pastaj janë ringritur pretendimet për disa fashikuj që nuk i përkasin fare Erion Veliajt, por u përkasin subjekteve të tjera nën hetim.
Dhe në fund, “qershia mbi tortë” është kafazi. Vazhdon përsërit avazin se nuk shkon në seancë po nuk doli nga kafazi. Të njëjtat kërkesa i ka bërë Ilir Meta, të njëjtat kërkesa i ka bërë ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Ky i fundit për një çështje për të cilën ka masë të lehtë sigurie është jashtë kafazit, ndërsa për çështjen që ka një masë më të rëndë sigurie është në kafaz.
CNA e ka treguar me dokumente edhe vendimin e Gjykatës së Strasburgut në lidhje me çështjen e kafazit, por, me sa duket, këto janë “këngë” të vjetra të të pandehurit Plarent Ndreca, avokat i Erion Veliajt, i cili vazhdon të shtyjë pafundësisht seancat.
Ndërkohë që nga njëra anë thonë se duan gjyq të shpejtë për të paraqitur provat përballë gjykatës për të rrëzuar pretendimet e SPAK-ut, shtyjnë gjyqin me "këngë" të vjetra, me kërkesa të vjetra, me skenarë të vjetër, që tashmë nuk përbëjnë më as lajm./CNA


