Dynden njerëzit te “Rruga e Shpresës”, Berisha: Sot ishte një ditë beteje në parlament, Opozita është në këmbë
Qytetarë dhe mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha protestojnë edhe këtë të hënë në mbështetje të liderit të opozitës, i cili mbahet nën arrest shtëpie, si pasojë e hetimeve të ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë.
Berisha theksoi se sot ishte një ditë beteje në parlament, duke dëshmuar se Opozita është në këmbë.
Fjala e Berishës
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta! Miqtë e mi, përulem me nderimin më të thellë para jush qëndrestarë të pamposhtur në ditët e vështira për këtë vend.
Shqipëria sot është e gjunjëzuar. Por ajo nuk është e rrëzuar përdhe dhe kjo vetëm për një moment, sepse ju në emër të saj, jeni këtu çdo natë, të pamposhtur dhe në këmbë.
Jeni këtu për t’i dëshmuar Shqipërisë se ajo nuk do të rrëzohet përdhe kurrë!
Jeni këtu për t’u bërë thirrje shqiptarëve të ngrihen sepse Shqipëria që ju përfaqësoni, është Shqipëria që do fitojë, është Shqipëria që do ngrihet!
Le të bëjmë pak së bashku një udhëtim në memorien tonë dhe të kujtojmë se pak vite më parë, vendi ynë i gjunjëzuar ishte Shqipëria e fitores.
Liberalizoheshin vizat, integrohej në NATO, priste me dinjitet presidentin e SHBA, merrte rekomandimin për statusin e vendit kandidat. Nga Tirana, shpallej pavarësia e Kosovës.
Shqipëria bëhej çdo ditë një vend më i pëlqyer, më i dashur për shqiptarët, më i respektuar në rajon, në Europë dhe në botë.
Shqipëria bëhej vendi në të cilin popullata rritej nga viti në vit. Dhe po kështu dashuria, shpresa dhe besimi i shqiptarëve rritej nga viti në vit.
Por përsëri, me qëndresën tuaj, me guximin tuaj, kam bindjen absolute se Shqipëria falë jush, falë të rinjve të këtij vendi, falë luftëtarëve, falë misionarëve që mblidhen çdo natë në këtë rrugë, rrezatojnë shpresë në mendjet dhe zemrat e shqiptarëve, përsëri ajo do jetë në këmbë. Përsëri ajo do jetë Shqipëria e fitoreve.
Luani i fjetur i shqiptarëve po zgjohet çdo ditë e më shumë. Autokracinë, diktaturën e bandave, krimit dhe drogës e pret fundi i merituar.
Miqtë e mi, sot ishte një ditë beteje në parlament. Një ditë beteje këtu në Rrugën e Shpresës.
Opozita, e cila qe parashikuar të mos ekzistonte, të ishte thjesht një stoli e armikut më të egër të qenies së shqiptarëve, regjimit të Edi Ramës, sot është më në këmbë se kurrë.
Opozita kaloi, mbijetoi skenarë nga më antidemokratikët, më antishqiptarët, por e veshur me idealet më fisnike të popullit opozitar, ajo është sot këtu në këmbë, e gatshme për çdo betejë pa kthim, gjer në fitore.
Miqtë e mi, ju jeni njerëz të lirë, jeni guximtarë, jeni vizionarë, jeni të rinj dhe të reja, burra dhe gra në një mision epik. Ju si opozitë e vërtetë, i keni kallur datën, tmerrin narkoregjimit të Edi Ramës.
Dhe pse kështu? Imagjinoni një moment, i tmerruar nga Sali Berisha, Edi Rama urdhëron mercenarët e tij në KQZ, në gjykata, që të mos regjistrojnë emrin e tij në fletën e votimit.
Urdhëron mercenarët e tij që t’i rrëmbejnë logon dhe emrin PD-së. Urdhëron mercenarët e tij të ndërpresin çdo financim për kandidatët e saj.
E megjithatë, opozita mori 600 mijë vota. Kjo e tmerroi Edi Ramën. Kjo e tërboi Edi Ramën.
Ai e pa se po vjen furtuna. Ai e pa se opozita e vërtetë është e pamposhtur, ndaj dhe bllokoi çdo të drejtë të deputetëve në parlament.
Por deputetët tuaj, deputetët e vërtetë të opozitës ia bllokuan parlamentin narkoshtetit. E shndërruan atë në një kufomë-parlament. E shndërruan atë në një turp-parlament.
E shndërruan atë ashtu siç është në një krim-parlament.
E shndërruan në institucionin më qesharak të planetit, i cili voton buxhetin për 4 minuta.
E shndërruan faktikisht në inekzistencë.
Një nderim të veçantë kam për të gjithë këta deputetë që në emër tuaj, po zhvillojnë betejën pa kthim në mosbindje civile, më të fuqishme që ka njohur ndonjëherë parlamenti.
Por Edi Rama, përsëri i tmerruar, mendoi se duke përdorur mercenarët e tij, armiqtë e egër të opozitës, Dumanër, Kraja dhe kompani, do mund të godasë për vdekje opozitën.
Ai ndërmori një akt të paparë në një vend të lirë. Urdhëroi organizatën kriminale të Skapit të partisë të vendosi në arrest shtëpie, pa asnjë provë, fakt, dokument, kundërshtarin e tij Sali Berisha vetëm e vetëm se ai e pa sepse duke i hequr emrin nga lista, duke i plaçkitur vulën dhe logon, duke mos dhënë asnjë qindarkë, de facto duke e përjashtuar nga gara, përsëri me mbështetjen tuaj, ai mori së bashku me ju 600 mijë vota...
Por përsëri i bëri llogaritë gabim, përsëri humbi.
Ne jemi në këmbë, jemi të sigurt, jemi të fuqishëm, ne do fitojmë!
Këtu para jush dua t’u drejtoj një thirrje mbarë demokratëve dhe opozitarëve: ngrihuni në këmbë siç janë ngritur këta të rinj dhe të reja, burra dhe gra, siç janë ngritur deputetët tanë.
Sepse ora ju fton ju, idealet ju ftojnë ju, e ardhmja juaj dhe e fëmijëve tuaj ju ftojnë ju. Dashuria për Shqipërinë ju fton ju.
E ardhmja e këtij vendi, trashëgimia e këtij vendi, ndaj të ngrihemi të gjithë në këmbë në betejën epike, në betejën e historisë, në betejën pa kthim, të përmbysim diktaturën e instaluar në Shqipëri.
Fitoni ju, fitojnë fëmijët tuaj, fiton Shqipëria, fiton pluralizmi, fiton e ardhmja, fiton demokracia.






