Bozdo: “Voltalia” u favorizua, KESH miliona euro dëm buxhetit të shtetit

Bozdo: “Voltalia” u favorizua, KESH miliona euro dëm buxhetit

Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo deklaroi sot se kompania “Voltalia” e cila operon në parkun fotovoltaik të Karavastasë, është favorizuar në shkelje të kushteve të garës.

Në një deklaratë për medie nga kryesia e Kuvendit, Bozdo iu referua emisionit investigativ “Plug”, i cili sipas tij nxori në pah këtë aferë shumë problematike në sektorin e energjisë.

Sipas Bozdos kjo kompani u favorizua në shkelje të ligjit të sektorit të energjisë elektrike dhe në shkelje të drejtpërdrejtë të konkurrencës, barazisë dhe transparencës së shpenzimeve të parave publike të taksapaguesve shqiptarë.

Sipas Bozdos, kushtet fillestare të garës dhe kontrata e nënshkruar më pas me kompaninë Voltalia, kërkonin që ajo të instalonte një impiant fotovoltaik me kapacitet 140 MW.

“Këto kushte përcaktonin qartë se shteti do të blinte vetëm 50% të energjisë (70 MW) me çmimin e premtuar prej 24,89 euro/MWh, ndërsa gjysma tjetër duhej të shitej nga kompania në tregun e lirë. Në atë periudhë, qeveria e konsideroi një sukses të jashtëzakonshëm ofertën e ‘Voltalia’-s, jo vetëm sepse çmimi 24,89 euro/MWh ishte çmim konkurrues, por edhe sepse, sipas vetë qeverisë, çmimi i blerjes mesatare në 3 vitet e fundit në treg të lirë kishte qenë 55 euro/MWh, ndërsa çmimi i ofruar nga ‘Voltalia’ ishte më pak se gjysma e çmimit që tregu ofronte”, shtoi Bozdo.

Bozdo theksoi se kjo kontratë dhe bashkë me të edhe kushtet e garës, nuk u respektuan asnjëherë.

“KESH çuditërisht u vetofrua të blejë me çmime të rregulluara të gjithë sasinë e energjisë që prodhon parku fotovoltaik, pra të 140 MW. Së pari, KESH ka shkelur rëndë ligjin, duke sjellë shtrembërimin e tregut, eliminimin e konkurrencës, nëpërmjet dhënies së një çmimi shumë favorizues për ‘Voltalia’-n pa asnjë garë apo procedurë konkurruese”, shtoi Bozdo.

Sipas tij, “këtë KESH e ka bërë qartazi për të favorizuar ‘Voltalia’-n dhe ata që qëndrojnë pas saj, me paratë e shqiptarëve”.

“Afera e ‘Voltalia’-s është thuajse identike me atë të ‘Tigrave’ (centralet lundrues në Vlorë – shën. i red.). Dallimi është vetëm se për të flitet shumë më pak. Në të gjitha rastet, deputetët e opozitës do t’i shkojnë deri në fund kësaj afere, ashtu siç ata bënë me dhjetëra e dhjetëra afera të tjera korruptive”, shtoi Bozdo.

EMISIONET