Bozdo: Pensionistët fuqi blerëse gati 20% më të ulët se në 2013-ën

Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë, Punësimit dhe Financave mbi projektbuxhetin 2026, theksoi se pensionistët shqiptarë blejnë 15-20% më pak se para 12 vitesh.
Bozdo bëri të ditur se që nga viti 2013, indeksimi i pensioneve ka qenë rreth 23%, ndërkohë që inflacioni i akumuluar gjatë kësaj periudhe është mbi 40%, gjë që flet për ulje të ndjeshme të fuqisë blerëse të pensionistëve.
“Sot, qeveria financon sistemin e sigurimeve shoqërore me rreth 2% të PBB-së, një nivel që nuk është i mjaftueshëm për të përballuar sfidat e ardhshme”, tha Bozdo.
Ai shtoi se të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se skemat vullnetare të pensioneve nuk kanë ecuri të mirë dhe pjesëmarrja e individëve është e ulët, duke kufizuar mundësitë për të relaksuar sistemin.
Një tjetër problem i theksuar nga Bozdo ishte informaliteti i lartë në vend, që arrin rreth 40%, ndërsa vetëm 32% e forcës punëtore kontribuon aktualisht në sistemin e pensioneve.
“Konsiderohet nga studimet e OECD që shkalla e informalitetit në Shqipëri është afro 40%. Shumë i lartë, edhe krahasuar me vende të rajonit. Dhe ata që kontribuojnë në sistemin e pensioneve janë vetëm 32% e forcës së punës”, deklaroi Bozdo.


