Xhixho: Shqipëria po qeveriset në funksion të interesave private dhe jo të interesit publik

Xhixho: Shqipëria po qeveriset në funksion të interesave private

Erisa Xhixho u shpreh në një postim se çështja e projektit në zonën Pishë Poro–Zvërnec përbën, sipas saj, një shembull të mungesës së transparencës në vendimmarrje dhe një sinjal shqetësues për mënyrën se si trajtohen pasuritë publike dhe zonat e mbrojtura natyrore.

" Më 28 janar 2025, larg syve të publikut dhe pa asnjë transparencë, Kryeministri firmosi lejen e ndërtimit për një resort turistik në zemër të zonës së mbrojtur Pishë Poro–Zvërnec.

Për muaj me radhë, Edi Rama ka mashtruar publikisht duke pretenduar se nuk ekzistonte as projekt dhe as leje ndërtimi, por vetëm një leje zhvillimi që, sipas tij, shërbente për rrethimin e zonës. Sot dokumentet tregojnë të kundërtën: leja e ndërtimit është firmosur më shumë se një vit më parë dhe rrethimi me tela nuk ishte për “mirëmbajtje” apo “sistemim”, por hapi i parë i një projekti ndërtimi në një nga pasuritë më të çmuara natyrore të vendit.

Kjo është arsyeja pse qytetarët kanë më shumë se një javë që protestojnë në rrugët e sheshet e Shqipërisë dhe botës. Ata nuk po mbrojnë thjesht një copë tokë; po mbrojnë ligjin, transparencën dhe po kundërshtojnë çdo përpjekje për të grabitur pasuritë publike me vendime të marra në fshehtësi.

Kur kryeministri mohon publikisht ekzistencën e një lejeje që mban firmën e tij, nuk kemi më të bëjmë vetëm me një skandal mjedisor, por edhe me një çështje që kërkon përgjegjësi ligjore dhe politike.

Kërkesa për dorëheqjen e Edi Ramës është më legjitime se kurrë. Çdo dokument i ri që del në dritë konfirmon atë që qytetarët kanë denoncuar prej kohësh: Shqipëria po qeveriset në funksion të interesave private dhe jo të interesit publik", shkruan Xhixho.

EMISIONET