"Beteja jonë do të njohë vetëm ngjitje"/ Berisha: Do përfshihet e gjithë Shqipëria, do jetë e pandërprerë gjer në largimin e tij

"Beteja jonë do të njohë vetëm ngjitje"/ Berisha:

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli një ditë pas protestës së opozitës me një mesazh të qartë për vijimin e aksionit politik.

Në një komunikim me gazetarët, ai tha se situata në vend nuk ofron më qetësi dhe paralajmëroi se protestat do të shtrihen në të gjithë Shqipërinë.

Sipas tij, pakënaqësia e qytetarëve është e pranishme në shumë zona dhe do të reflektohet në vijim me tubime dhe forma të tjera reagimi.

Berisha u shpreh se opozita nuk ka ndërmend të tërhiqet dhe se aksioni do të vazhdojë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama nga qeveria.

Ai shtoi se protestat do të zhvillohen kudo ku ka pakënaqësi dhe se, sipas tij, qeveria do të përballet me një reagim të fortë qytetar në ditët në vijim.

FJALA E KRYDEMOKRATIT SALI BERISHA:

“Qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë nderuan në mënyrën më madhështore, më solemne, më dinjitoze 22 marsin, ditën e parë të demokracisë me demonstratën e tyre të fuqishme në kushtet e një narkodiktature, autokracie elektorale apo diktaturë autoritare, shqiptarët treguan dje se janë të pamposhtur nga kjo narkodiktaturë.

Mendoj se me protestën e tyre përfaqësuan revoltën, zemërimin e një kombi të tërë.

Kurrë ndonjëherë më e fuqishme kryengritja paqësore e shqiptarëve se sa dje nuk ka qenë në rrugët e Tiranës. Mesazhi është i qartë, në Shqipëri në kushtet e autokracisë të sundimit të Edi Ramës, nuk ka dhe nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet.

Beteja jonë do të njohë vetëm ngjitje. Ajo do përfshijë të gjithë Shqipërinë dhe do jetë e pandërprerë gjer në largimin përfundimtar të kësaj organizate kriminale me në krye Edi Ramën.

Ndaj dhe unë kam një mirënjohje të pakufishme për të gjithë ata dhjetëra mijëra qytetarë që mbushën dje rrugët dhe bulevardet e Tiranës dhe protestuan në mënyrë dinjitoze."

BERISHA NË KONFERENCË:

 

EMISIONET