“Aty ku ka pakënaqësi do ketë protesta” - Berisha: Regjimi do të përballet me revoltën popullore
Një ditë pas protestës, kryetari i PD-së, Sali Berisha mbjati një konferencë me gazetarët
“Aty ku ka pakënaqësi do ketë protesta, regjimi do të përballet me revoltën popullore", tha Berisha.
DEKLARATA E BERISHËS
Qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë nderuan në mënyrën më madhështore, më solemne, më dinjitoze 22 marsin, ditën e parë të demokracisë me demonstratën e tyre të fuqishme në kushtet e një narkodiktature, autokracie elektorale apo diktaturë autoritare, shqiptarët treguan dje se janë të pamposhtur nga kjo narkodiktaturë.
Mendoj se me protestën e tyre përfaqësuan revoltën, zemërimin e një kombi të tërë.
Kurrë ndonjëherë më e fuqishme kryengritja paqësore e shqiptarëve se sa dje nuk ka qenë në rrugët e Tiranës.
Mesazhi është i qartë, në Shqipëri në kushtet e autokracisë të sundimit të Edi Ramës, nuk ka dhe nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet.
Beteja jonë do të njohë vetëm ngjitje.
Ajo do përfshijë të gjithë Shqipërinë dhe do jetë e pandërprerë gjer në largimin përfundimtar të kësaj organizate kriminale me në krye Edi Ramën.
Ndaj dhe unë kam një mirënjohje të pakufishme për të gjithë ata dhjetëra mijëra qytetarë që mbushën dje rrugët dhe bulevardet e Tiranës dhe protestuan në mënyrë dinjitoze.
Shprehën zemërimin e tyre ndaj këtij regjimi. Kam një mirënjohje të pakufishme ndaj medieve që e përcollën atë, por në veçanti edhe ndaj medieve ndërkombëtare.
Pas luftës në Lindjen e Mesme, lajm kryesor në mediat ndërkombëtare është protesta e qytetarëve shqiptarë ndaj regjimit të korruptuar të Edi Ramës.
Dhe këto lajme, të përhapura në mediat më të mëdha të botës, të transmetuara dhe të ritransmetuara nga agjencitë më të mëdha ndërkombëtare dhe gazetat më të mëdha e rrjetet televizive, janë mbrojtja e dinjitetit të qytetarëve shqiptarë, mbrojtja e dinjitetit të Shqipërisë.
Me këto lajme, mediat ndërkombëtare u faktojnë kombeve dhe vendeve të tyre se vërtet në Shqipëri ka një Ramaduro, ka një kryeministër, i cili nxjerr veten mbi ligjin për vjedhjet që ka bërë.
Përdor mandatet e krimit si thika kundër ligjit dhe shtetit. Por ka një popull që nuk pranon këtë. Ka një popull që ngrihet fuqishëm si vigan kundër tij.
Ndaj dhe ne vazhdojmë rrugën tonë gjer në largimin e kësaj organizate kriminale nga pushteti, e cila ka zero legjitimitet. Ka dalë nga farsa elektorale e certifikuar.
Ka vjedhur miliarda e miliarda euro dhe tani së fundmi bllokoi drejtësinë. Ne jemi të bindur se në këtë mënyrë ne jemi interpretë të gjithë shqiptarëve, pavarësisht bindjeve të tyre, por që jetojnë me mundin dhe djersën e tyre.
Kështu që, beteja vazhdon edhe më e fuqishme, do të përhapet, do të njohë nivele të reja. Nuk ka më paqe dhe stabilitet për hajdutët, për narkozyrtarët shqiptarë gjer me rikthimin e votës së lirë, shtetit ligjor.
Z. Berisha thatë se protestat e opozitës do të shtrihen në të gjithë Shqipërinë. Po paralajmëroni që do të ketë protesta krahas Tiranës edhe në qytete të tjera të vendit dhe do të ketë radikalizim të lëvizjes së opozitës?
Sali Berisha: Do të ketë kudo protesta. Aty ku është pakënaqësia do të ngrihet protesta. Regjimi do të përballet në të 4 anët e vendit me qëndresën e fuqishme popullore.
Ka patur një reagim të ambasadës gjermane ditën e sotme, duke qenë se një nga risitë e protestës së djeshme ishte ngritja e flamujve gjermanë, por duket se ambasadës nuk i ka pëlqyer dhuna, duke deklaruar se duhet të distancoheni menjëherë. Si i përgjigjeni?
Sali Berisha: Ne jemi të përcaktuar për kryengritje paqësore. Por një gjë mund të them, nëse në këto protesta ka patur me dhjetëra demonstrues të plagosur nga dhuna policore, nuk ka patur deri më sot, asnjë polic të plagosur.
Kjo është e vërteta. Por ne mbetemi të përcaktuar për kryengritje paqësore, sepse jemi të bindur se nëpërmjet saj, realizojmë më mirë qëllimet tona.
Ndaj ne nuk kemi bërë, por përkundrazi ne kërkojmë të vazhdojmë me moton paqësore. Mos harroni, në kushtet e një grushti shteti janë të ligjshme të gjitha mjetet, por ne qëndrojmë tek mjetet paqësore.
Reagimi i ambasadës sot ishte i fuqishëm…
Sali Berisha: Jemi në kushtet e marrjes së pushtetit të drejtësisë nga ekzekutivi, përligjet çdo mjet, por ne qëndrojmë tek kryengritja paqësore. Kjo është e tëra. E konsiderojmë dhunën më të madhe ndaj këtij populli marrjen e pushtetit të drejtësisë nga pushteti ekzekutiv. Kjo përbën një dhunë të tmerrshme kushtetuese.
Për ne dhunë e tmerrshme ndaj këtij populli është Olta Xhaçka në parlament, duke hedhur poshtë dy herë, urdhrin e Gjykatës Kushtetuese. Për ne, dhunë e tmerrshme ndaj këtij populli është bllokimi i drejtësisë për arrestimin e Lubi Ballukut për shkak të Edi Ramës.
Për ne, dhunë e tmerrshme është mos arrestimi i Linda Bashës e implikuar kokë e këmbë në aferën e AKSHI-t. Për ne, dhunë e tmerrshme është lëvizja e lirë e Ergys Agasit dhe thuhet edhe vizitat e tij në Surrel, për të cilat duhet të bëhet hetim. Këto janë dhunë e tmerrshme ndaj një populli, se janë dhunë ndaj ligjeve, ndaj Kushtetutës, ndaj themeleve.
Me të gjitha këto, ne qëndrojmë në moton e protestës paqësore, jo se nuk e dimë, por ne besojmë se dhuna nuk na shërben. Ne besojmë se në rrugën paqësore, ne realizojmë më shpejt dhe më mirë qëllimet tona. Dhe ju e shihni se si mediat ndërkombëtare çfarë pasqyrimi të shkëlqyer i bëjnë protestave të Shqipërisë.
Pra, nuk jemi në kushtet e një vendi me demokraci. Jemi në kushtet e një vendi që ka humbur, është zhytur thellë në një autokraci elektorale, apo diktaturë autoritare. Megjithatë, ne nuk bëjmë thirrje dhe jemi kundër protestave të dhunshme, ne jemi për kryengritjen paqësore, jemi përcaktuar për këtë.
Po të jetë për dhunë, dhunën më të egër ndaj njerëzve e ka përdorur policia. E cila ka gjuajtur me plumba gome në ballë, në kokë. Dhe dje ai që ishte në spital, Denis Gremi, ishte viktimë e një goditje të rëndë në kokë, pa asnjë lloj shkaku.
Pra të kuptohemi. Unë nuk them se nuk ka patur elementë tek tuk, por nuk ka asnjë polic të plagosur. Dhe dje inskenimi i turpshëm i Edi Ramës. Çfarë kishin bërë dje që ta dini ju. Kishin çuar 5 policë dhe i kishin shtrirë në ato shtretër, por ata nuk kishin gjë.
I zhveshën mjekët, se isha unë atje dhe nuk kishin asnjë plagë, asnjë gjë. Absolute kjo. Shkoi ky sharlatani për të thënë dhe Rama u bëra unë gati të nisem për tu treguar shqiptarëve se këta po gënjenin, po mashtronin, policët ikën, nuk qëndruan se nuk donin të bëheshin kukulla në një skenar të turpshëm. Nuk kishin asnjë gjë.
Shkova e takova mjekët, nuk kishte asgjë të regjistruar. Imagjinoni ju duan të shpikin. Pse nuk ka dhunë, sepse ka porosi të mos ketë dhunë, sepse është paqësore protesta. Është shumë thjeshtë të bësh dhunë, gjëja më e thjeshtë. Por ne kemi këtë platformë.
Z.Berisha, ndërkohë që zgjedhjet në PD po afrojnë, krahas rikandidimit tuaj për kryetar, Ervin Salianji ka shfaqur dëshirën për të kandiduar. Pyetja është: a lejohet Ervin Salianji të kandidojë?
Sali Berisha: I vetëpërjashtuari është i vetëpërjashtuar, nuk ndryshon asgjë. Tani, pse e birëson ky apo ai politikisht këtë apo atë, kjo nuk është puna ime. Birësimet kanë ndodhur dhe ndodhin në të gjitha kohërat. I gëzofshin ata që i birësojnë. Kaq është puna. E birësuan. Iku, mori fund.
Kush e birësoi?
Sali Berisha: E gjeni vetë ju. Shihni vetë. E birësuan, po të mos birësohej, do ishte ai. Ai zgjodhi vetë birësimin, iku, mori fund.
A është shenjë frike kjo nga ana juaj për të pasur Ervin Salianjin përballë? Sepse shumëkush mund ta shohë si shenjë frike, por ta lini të kandidojë dhe të shihni sa mbështetje ka...
Sali Berisha: Tani, e thatë gabim ju këtë. Se unë ç’është e vërteta kam shumë kënaqësi të kem rivalë dhe në të gjitha kohërat unë kam pasur rivalë.
Por kur tjetri birësohet, bën zgjedhjen e tij. Politikisht e kam fjalën. E ka bërë, nuk kam ç’i bëj unë.
Për dijeni, meqë jemi këtu. Një ditë më vjen nga burgu në zyrë, se mirë është meqenëse e hapëm bisedën, dhe më thotë, erdha të të marr një mendim.
Çfarë mendimi, i them unë. Urdhëro, e prita mirë. Sigurisht, kemi bërë gjithçka për ta cilësuar të burgosur politik dhe e ka merituar plotësisht.
Çfarë mendimi? Tani, thotë, më kanë ngelur tre muaj burg. Për të dalë më takon të dal sipas ligjit, por kërkojnë një deklaratë në të cilën duhet të garantoj se nuk do vras Fatmir Xhafën.
Kush ta kërkon këtë? Ma kërkon gjykata dhe drejtoria e burgut. I them unë, po ti je i burgosur politik. Nuk ke punë me Fatmir Xhafën, nuk je zënë, nuk je sharë, nuk je rrahur me Fatmir Xhafën.
Meqë më pyet mua, unë të këshilloj që një deklaratë të tillë të mos e bësh se ti merr fajësinë në këtë mes. Të thuash që unë nuk kam ndërmend të vras Fatmir Xhafën, do të thotë se Fatmir Xhafa të burgosi ty se e ke kërcënuar. Kjo është e vërteta. Natyrisht, ai ishte në burg dhe unë nuk mund të merrja përsipër më shumë se kaq. Këshilla ime është që ju të mos e firmosni se kjo të fajëson dhe ti je i ri në karrierë dhe ke karrierë përpara.
Mirë, tha. Iku. Doli, erdhi. Çfarë bëre me atë? Jo, tha, nuk ma kërkuan më. Tani, të tjerat lexojini vetë. Kështu që, nuk është përgjegjësia ime për atë që birësohet politikisht këtu apo aty, apo këndej dhe andej. Ka bërë zgjedhjen e tij.
Dënoj edhe njëherë, ndonëse partia ka bërë një deklaratë, shpall Karlo Bolinon supermafiozin numër një të medieve shqiptare.
Me aktin e tij ndaj gazetarit veteran, realisht të pavarur, Babaramo mund të jetë nga më të paktët gazetarë të pavarur të këtij vendi, të cilin për pavarësinë që ka treguar, e ka ndjekur nga një studio në studio tjetër, ndonëse ka mbetur i njëjtë.
Me këtë akt, Bolino shpallet armiku numër një i fjalës së tij dhe supermafiozi i medieve në Shqipëri. Ky do jetë qëndrimi i PD ndaj këtij personi. Natyrisht, nuk ka lidhje me gazetarët e tjerë të atij rrjeti televiziv të atij rrjeti televiziv apo grupi mediat.
Daniela Maloku, Report Tv: Z. Berisha, Babaramo ka ikur sepse ka sulmuar televizionin, jo se ka sulmuar Ramën.
Sali Berisha: Nuk u ka sulmuar ju Babaramo. Mos hy mes dy njerëzve, se cili është Bolino? Akti që ka bërë ndaj Babaramos është një fyerje e rëndë për të gjithë dhe ai do përgjigjet për këtë para opinionit publik shqiptar si një supermafioz që për hir të favoreve që nga Edi Rama, pse ai shtron një pyetje... çfarë tha ai, na thoni çfarë qëndron nga veprat e Edi Ramës. Kaq tha.
Daniela Maloku, Report Tv: Babaramo ka sulmuar televizionin, prandaj është larguar. Si gazetare e Report Tv ndjej detyrimin t’ua sqaroj këtë zoti Berisha.
Sali Berisha: Të lutem, se ti je gazetare e mirë, mos bëj avokatinë e Bolinos se nuk ia del.
Daniela Maloku, Report Tv: Nuk ka nevojë Bolino për t’i bërë unë avokatinë.
Sali Berisha: Jo ti, po sikur të gjithë avoketërit e botës të mblidhen, atë nuk e mbrojnë dot.






