Berisha: Rama gjobit mediat e pavarura. Gjobat në Arbitrazh për tekat e tij do i paguajnë shqiptarët

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar ndaj gjobave së Qeverisë për RTV Ora dhe kompanive të tjera mediatike të cilat kanë linjë editoriale të pavarur.

“Edi Rama është verbuar, turret me tërbim kundër mediave që përpiqen t’u thonë shqiptarëve të vërtetën. Kundër mediave të cilat kanë linjë editoriale të pavarur në interes të shikuesve shqiptarë, dhe lexuesve.

Pa asnjë fakt, pa asnjë provë, në kundërshtim me të gjithë dokumentet zyrtare që ekzistojnë gjobit ‘Fokus Media Group’ me 17 milionë euro, duke përdorur kushëririn e Ballukut, Ceno Klosin e vilave në Londër dhe gjetiu.

Një hajdut i papërmbajtur dhe shkon e i vendos gjobën 17 milionë euro, pa konstatuar asnjë defekt në asnjë bilanc, vetëm e vetëm se ekipi i këtyre mediave dhe pronari i tyre qëndroi për të informuar qytetarët dhe për t’u thënë atyre të vërtetat.

Të njëjtën gjë ka bërë 2-3 muaj më parë ndaj Ylli Ndroqit. Avokatët e tij më kanë siguruar se absolutisht ka të justifikuar çdo qindarkë me dokumente, dhe këto dokumente iu paraqitën gjykatës, dhe gjykatësit vendosën të kundërtën sikur këto të shprehnin të kundërtën dhe jo atë që shprehën.

Banditizmi në sallat e gjyqit ka kufi vetëm qiellin në disa raste. Por kush i paguan këto. Këto i paguan taksapaguesi shqiptar se 127 mln na shkoi fatura me Agon Channel, për urrejtjen e tij patologjike se nuk kontrollonte dot lajmet.

Ju garantoj se në arbitrazh kaq do të na shkojë fatura për përpjekjet antiligjore që ka bërë, për përpjeket për ti falimentuar mediat që mbajnë një linjë editoriale të pavarur. Ora Neës është në arbitrazh, i ka të gjitha të dhënat se është një aksion politik jo ligjor i pabazuar ndaj tij.

Pra, nga njëra anë vepron në këtë presion, nga ana tjetër shpërndan një grup lakenjsh që nuk kanë asnjë lidhje me gazetarinë, një grup me dosje krimi për të dizinfomuar në çdo studio qytetarët shqiptarë. Dhe unë u bëj thirrje studiove, merrni gazetarë, por jo këta individë që e kanë vendin në qeli për krimet që kanë bërë", deklaroi kryedemokrati Sali Berisha.

EMISIONET