Meta: Duan të prishin banesat në qendër të Tiranës, gjoja janë të pabanueshme

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir ka zhvilluar një komunikim për mediat. Gjatë fjalës së tij Meta tha se kryeministri Edi Rama po u grabit pronat shqiptarëve.

"Edi Rama dhe banda e tij rilindase në Këshillin e Ministrave kanë miratuar së fundmi një vendim anti-kushtetues dhe arbitrar që ka vetëm një qëllim, prishjen e mbi 96 mijë banesave, për t’i hapur rrugë klaneve të pastrimit të parave dhe oligarkëve, për të ndërtuar kulla të tjera. Duke përdorur gjoja si shkak tërmetin, Edi Rama me këtë vendim kërkon t’u grabisë qindra mijëra qytetarëve të Tiranës pronën më të shrenjtë që ata kanë, banesat e tyre. Vendimi pretendon se gjoja godinat 50 vjeçare do të auditohen teknikisht, e nëse do të ishin gjoja jo të sigurta, ato do të prisheshin. Por, godinat 50 vjeçare, që i i kanë rezistuar tërmeteve të njëpasnjëshme, kanë vetëm një kërcënim real dhe kryesor tërmetin e korrupsionit të Rilindjes. Pas aferave korruptive me vlerësimet e banesave pas tërmetit, duke i përdorur këto ekspertiza korruptive si mundësi pasurimi dhe tjetërsimi, qeveria ka prishur në mënyrë abuzive mjaft ndërtime siç ka ndodhur në Kombinat por dhe në vende të tjera. Ky vendim është haptazi Anti Kushtetues, pasi banesa së bashku me truallin kanë pronarë legjitim dhe prishjet me një VKM korruptive dhe defacto rrëmbimi i pronës nga ana e Qeverisë, dhunon kushtetutën dhe çdo ligj tjetër që bazohet mbi të.

Janë vënë në shënjestër pronat e zgjedhura të qytetarëve, që gjenden kryesisht në qendër të Tiranës dhe të qyteteve të tjera kryesore të Shqipërisë, pikërisht sepse ndërtimet në këto zona sigurojnë fitime marramëndëse për klientët e qeverisë, për oligarkët, narkotrafikantët, ku pastrimi i parave të korrupsionit të qeverisë dhe të gjithë burimeve të tjera kriminale, të kryhet pa asnjë pengesë. Pasi grabitën të gjitha llojet e pronave, pasi shembën Teatrin Kombëtar në mesnatë, pasi kanë shembur kaq shumë banesa në mënyrë të paligjshme, pasi rrëmbyen përmes koncesioneve dhe PPP-ve asetet më strategjike të vendit, ky akt i fundit është sulm i drejtëpërdrejtë dhe brutal mbi qytetarët dhe pronat e tyre më jetike. Asnjë demagogji për gjoja mbrojtjen e interesit publik, nuk e shpëton dot qeverinë nga akuza për rrëmbimin e dhunshëm e të paligjshëm të banesave të qytetarëve. Ky vendim i qeverisë nuk thotë asgjë për të drejtat e pronës së qytetarëve mbi truallin si dhe të drejtën për të jetuar dhe banuar aty ku është banesa e tyre historikisht. Pseudo argumentet mafioze shqiptarët i kanë dëgjuar dhe kur është shembur Teatri Kombëtar i cili i kishte rezistuar tërmeteve të njëpasnjëshme dhe u shemb vetëm me qëllim për të ndërtuar kullat. Kjo logjikë mafioze ka përballë një realitet shumë të qartë jo vetëm në Shqipëri por anë e mbanë Europës, ku ndërtimet rezultojnë të jenë qindra e mijëra vjeçare.

Ky vendim i Këshillit të Ministrave është praktikisht një shpërblim për narko trafikantët dhe oligarkët, që ata të vazhdojnë pasurimin së bashku me qeverinë, që banorët dhe qytetarët të largohen me dhunë nga banesat e tyre e të degdisen në periferi të pashpërblyer e të plaçkitur. Qeveria po të ishte e sinqertë dhe e interesuar për ligjshmërinë, mund të bënte mjaft për të përmirësuar, për të restauruar ndërtesat dhe prona të caktuara, me mekanizma ligjorë dhe financiarë, duke respektuar e mbrojtur jo vetëm pronën e qytetarëve, por edhe trashëgiminë urbanistike dhe kulturore të vendit siç edhe në shumë vende të tjera europiane.Kjo qeveri, nuk ka as më të voglin preokupacion të garantojë sigurinë e transportit publik, i cili po përballet me ngjarje shumë të rënda, pasi kjo qeveri nuk i inspekton dhe rehabiliton urat dhe tunelet që po shemben para syve të qytetarëve, që nuk i inspekton digat e ujëmbledhësve, sigurinë e hidrovorëve, për të parandaluar përmbytjet, e plot të tjera.

Pasi ajo ka vetëm një prioritet rrëmbimin e pronës së qytetarëve. Është shumë e qartë në dritën e diellit se motivi i vetëm është vjedhja dhe grabitja e gjakut dhe djersës së dhjetëra mijëra qytetarëve. Çdo ditë e Edi Ramës dhe Rilindjes është një ditë pasigurie dhe rreziku për pronën dhe interesat dhe të drejtat e çdo qytetari, i cili nga sot në nesër, mund të përballet me rrëmbimin dhe tjetërsimin e pronës dhe të gjithë drejtave të tij, pa mundur që të mbrohet duke u vendosur përpara faktit të kryer e duke u hedhur në rrugë të madhe. Ndaj të gjithë qytetarët duhet të jenë në këmbë, në radhë të parë për të mbrojtur pronat e tyre dhe së dyti, për të garantuar barazinë përpara ligjit si dhe ndëshkimin e kësaj bande të pandalshme në grabitjen e të gjitha pasurive publike por edhe të pronës private të qytetarëve tanë. Ndaj të gjithë në 3 mars në mbrotje të lirisë të pluralizmit politik edhe sigurisë juridike të çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë", deklaroi Ilir Meta.

EMISIONET