Edhe Berisha në Vlorë, vendos lule te monumenti i Pavarësisë: Betohem se ‘Pashiqin’ do ta paketojmë në Serbi

Ashtu si kryeministri Edi Rama dhe kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, edhe ish-kryeministri Sali Berisha në këtë 28 Nëntor zgjodhi Vlorën për të zhvilluar homazhe në monumentin e Pavarësisë në Vlorë.

Në këtë 111 vjetor të Pavarësisë, Berisha ka vendosur lule në monumentin pranë Sheshit të Flamurit.

Por Berisha ka bërë edhe një premtim politik, duke thënë se Edi Ramën “do ta paketojnë dhe do ta çojnë në Serbi, aty ku e ka vendin”.

“Sot, mbarë shqiptarët, kudo që janë, përulen me mirënjohjen më të pakufishme, nderimin më të madh, para veprës së pavdekshme të Ismail Bej Vlorës, ditës së Flamurit Kombëtar, ditë e të gjitha ditëve të kombit shqiptar. Me aktin e tij të një vizioni dhe kurajo të jashtëzakonshme, Ismail Bej Vlora, bëri të mundur ekzistencën e Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Pa këtë akt, Shqipërinë dhe shqiptarët i prisnin greminat, honet e historisë.

Sot, ata janë anëtarë të NATO-s, Kosova është e pavarur. Por unë erdha këtu për t’u betuar para varrit të Ismail Bej Vlorës, se Pashiqi shqiptar, që sapo ka vendosur kurorën aty, e ka të fundit, sepse shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë dhe kudo që ndodhen, do e paketojnë atë në Beograd, aty ku e ka vendin. Tradhtar si ky, kombi nuk ka pasur ndonjëherë në histori. Dhe ky është një zotim solemn përpara Babait të Pavarësisë se edhe njëherë, Pashiqi nuk do ketë vend në Tiranë, por të shkojë në Beograd te padroni i tij Vuçiç. Gëzuar qytetarë dhe qytetare të Vlorës, gëzuar shqiptarë dhe shqiptare kudo që jeni, këtë ditë të bekuar, këtë feste të të gjitha festave tona. Rroftë flamuri ynë, nderim përjetë Ismail Bej Vlorës dhe etërve të pavarësisë.”, u shpreh Berisha në një komunikim për mediat.

Kujtojmë se më herët u mbaj ceremonia e ngritjes së flamurit, ku të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama, Presidenti Bajram, Begaj, kryeministri Albin Kurti e zyrtarë të tjerë.

Edhe Berisha në Vlorë, vendos lule te monumenti i

EMISIONET