Balla: Të ndalen ndërtimet gjatë sezonit turistik, dëmtojnë turizmin

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla propozoi sot që projektligji për “Turizmin” të përfshijë edhe pezullimin e punimeve të ndërtimit gjatë sezonit turistik.

Në fjalën e tij në seancë plenare, Balla argumentoi se zhurmat dhe aktivitetet ndërtimore po dëmtojnë cilësinë e pushimeve dhe imazhin e Shqipërisë si destinacion turistik.

Duke mbështetur ndryshimet në ligjin për turizmin në Kuvend, Balla tha se nisma vjen si përgjigje ndaj një shqetësimi të vazhdueshëm të deputetëve që përfaqësojnë zonat turistike.

“Besoj që ky projektligj sjell në Kuvend adresimin e një shqetësimi që çdo deputet, kryesisht përfaqësues i zonave bregdetare turistike dhe atyre liqenore, lidhur me nevojën për të pezulluar përgjatë kulmit të sezonit turistik”, u shpreh ai.

Sipas Ballës, nuk janë të pakta rastet kur punimet vijojnë pranë strukturave akomoduese, duke krijuar shqetësime për pushuesit.

“Kam qenë dëshmitarë bashkë me kolegë deputetë në zona turistike, kur vazhdojnë proceset ndërtimore ngjitur me hotelet, duke pamundësuar pushimin për pushuesit”, tha Balla.

Ai theksoi se pezullimi i punimeve do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së ofertës turistike.

“Për këtë arsye kemi propozuar që në projektligjin për turizmin të pezullohen punimet e ndërtimit përgjatë kohës së sezonit turistik, duke garantuar një zhvillim më të qetë të sezonit dhe cilësi më të lartë të ofertës turistike në vendin tonë”, shtoi ai.

Projektligji parashikon gjithashtu ndryshime të tjera që lidhen me standardizimin e kategorizimit të hoteleve, regjistrimin elektronik të klientëve dhe përmirësimin e administrimit të mbetjeve nga strukturat akomoduese.

EMISIONET