Alarmi nga OBSH: Përgatitje për një botë më të nxehtë

Nxehtësia ekstreme po bëhet një kërcënim gjithnjë e më i madh për shëndetin publik dhe sigurinë shëndetësore.
Me ndryshimet klimatike, ndikimi i saj pritet të rritet nga viti në vit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë pohon se “Rajoni Europian po ngrohet më shpejt se çdo rajon tjetër në botë. Edhe pse bilanci i plotë i kësaj vere ende nuk dihet, të dhënat nga vetëm pesë vende tregojnë afro 10 000 vdekje shtesë të lidhura me temperaturat e larta”.
Për të ndihmuar vendet të përgatiten dhe të reagojnë, Zyra Rajonale e OBSH-së për Europën ka zhvilluar udhëzues dhe mjete praktike për shëndetin publik ku përfshin rritje e qëndrueshmërisë së spitaleve si dhe Planet e Veprimit për mbrojtjen e shëndetit në kushtet e vapës.
Valët e të nxehtit mund të rrisin ndjeshëm numrin e pacientëve, duke ushtruar presion mbi spitalet. Edhe personeli shëndetësor është i ekspozuar ndaj nxehtësisë, e cila mund të shkaktojë stres dhe lodhje.
OBSH mbështet vendet në identifikimin e rreziqeve që lidhen me temperaturat ekstreme, furnizimin me energji, sistemet e ftohjes, disponueshmërinë e ujit dhe mbrojtjen e pacientëve e stafit.
Planet e Veprimit për mbrojtjen e Shëndetit në kushtet e Vapës ndihmojnë autoritetet kombëtare dhe lokale të bashkërendojnë masat e përgatitjes, komunikimit të riskut dhe reagimit ndaj valëve të të nxehtit.
OBSH ka publikuar udhëzime të reja për hartimin dhe përmirësimin e këtyre planeve.
“Vdekjet nga nxehtësia nuk janë të pashmangshme” thotë Dr. Hans Henri P. Kluge, Drejtor Rajonal i OBSH-së për Europën.
Ai ka theksuar se: “ne dimë si t’i mbrojmë njerëzit: duke paralajmëruar komunitetet në kohë, duke siguruar qasje në ujë dhe hije, duke mbështetur grupet më të rrezikuara dhe duke përgatitur sistemet shëndetësore”.


