Masat kundër zjarreve, nis hapja e korridoreve pyjore në Tiranë

Prefektura e Tiranës së bashku me Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit në bashkinë Tiranë po hapin korridore pyjore që të kalojnë zjarrfikëset në gjurmët ekzistuese të rrugëve që kohë më parë janë përdorur nga ushtria, me qëllim parandalimin e zjarreve.
Ndërsa inspektoi punimet në terren, Prefekti i qarkut Tiranë, Shkëlqim Hajdari apeloi për masa ndëshkuese ndaj kujtdo që nga pakujdesia apo në mënyrë të qëllimshme shkakton zjarre.
“Mendojmë që edhe me ushtri nga krahu tjetër, por edhe me Drejtorinë Pyjore edhe me këtë frontin që po zhvillohet këtu, në fund të muajit korrik, qarku i Tiranës do t’i ketë të hapura të gjitha rrugët pyjore për t’u mbuluar me shërbim zjarrëfikës”, tha Hajdari.
Prefekti Hajdari u bëri thirrje forcave policore që të marrin masa absolute dhe të jenë të pamëshirshëm, pasi sipas tij “nga të dhënat që kemi pas çdo zjarri qëndron një dorë qoftë kjo e pakujdesshme ose me qëllim”.
Ndërsa drejtoresha e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Julinda Dhame u shpreh se është bërë dhe një plan për masat kundër zjarrit dhe janë ngritur grupet grupet e përbashkëta me institucionet e tjera, që të jemi në pararojë të problematikës.
Në të gjithë qarkun e Tiranës është miratuar një plan për hapjen e 100 km rrugë pyjore dhe po aq degëzime.
Nga ana tjetër, drejtori i Shërbimit Zjarrëfikës, Shkëlqim Goxhaj u bëri thirrje për kujdes banorëve të fshatrave dhe zonave pyjore.
“Dy gjërat më të rëndësishme të kësaj vere janë hapja e këtyre korridoreve pyjore. Gjithashtu edhe organizimi i shërbimit zjarrfikës vullnetar në çdo njësi. Duke nisur nga muaji qershor dhe deri në muajt e vjeshtës asnjëherë nuk duhet përdorur zjarri për eliminimin e mbeturinave bujqësore. Edhe pse ata mendojnë që duke pasur një sasi të vogël mbeturinash ose sipërfaqe të vogla mund ta eliminojnë, por në këto temperatura dhe në këtë thatësirë zjarri merr përmasa dhe shkakton dëme që ju e keni parë vitet e kaluara”, shtoi ai.
Javën e ardhshme do të nisë edhe hapja e rrugëve pyjore në zonën Bërzhitë – Petrelë – Pëllumbas dhe Zall-Herr – Herras – Zall-Bastar.
Këto rrugë mund të përdoren edhe nga turistët që duan të frekuentojnë këto zona kodrinore.


