KUKAFSHEHTI NË KUVEND/ Balla nuk shkon në Komision, Salianji e shpall në kërkim, i futet në sallën ku "fshihet" ministri
Kryetari i Komisionit Hetimor për skandalin e vjedhjes së të dhënave në sistemin TIMS të Policisë së Shtetit, Ervin Salianji i ka bërë thirrje ministrit të Brendshëm Taulant Balla që të paraqitet përpara komisionit për të diskutuar në lidhje me kërkesën e tij që dëshmia e tij të merret me dyer të mbyllura.
"Shpallim në kërkim Ballën, punonjësit e gardës ta gjejnë se ku është fshehur. Duhet të vijë. Pasi të vijë Balla dhe të marrë fjalën atëherë do flasim.
Nuk bëhet kjo me sufler dhe me njerëz që bëjnë si të shqetësuar. Kur të vijë ministri dhe ta parashtrojë kërkesën atëherë e vendosim", u shpreh Salianji.
Pas largimit të grupit të PS-së nga mbledhja e komisionit, kreu i këtij komisioni është ngritur në këmbë dhe bashkë me celularin e tij është futur në një ambient ku zhvillohen mbledhjet e grupeve, ku ishte edhe Balla.
KËRKESA E BALLËS
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i është drejtuar me një kërkesë komisionit hetimor parlamentar për ndërhyrjen në sistemin TIMS duke theksuar se informacionet që disponon janë sekret hetimor dhe për pasojë kërkon nga deputetët e komisionit që të jenë të pajisur me certifikatë sigurie.
“Gjithashtu rezulton se çështja TIMS është objekt hetimi penal nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë e për pasojë, të dhënat nuk mund të bëhen publike për shkak të nevojave hetimore që lidhen me këtë procedim penal në proces e sipër”, thuhet në shkresën dërguar nga ministri i Brendshëm në Kuvend.
Demokratët kërkojnë që Balla ketë kërkesë ta bëjë nën betim dhe përpara Komisionit. Po ashtu anëtaret e komisionit të opozitës, kanë deklaruar se për ato pyetje që cilësohen sekret hetimor Balla mund te mos përgjigjet, pasi ata do i bëjnë pyetje vetëm për pyetje që nuk janë sekret hetimor.
Mes debateve të shumta, deputetët e Partisë Socialiste braktisën komisionin hetimor parlamentar për ndërhyrjen në të dhënat e sistemit TIMS.
Shkak i debate ishte kërkesa e komisionit për të thirrur ministrin e Brendshëm, Taulant Balla.
Socialistët kërkuan që mbledhja të zhvillohej me dyer të mbyllura me pretendimin se ministri dispononte informacione sekrete për të cilat Prokuroria e Tiranës po zhvillon hetime.