Diplomimi i 67 oficerëve të rinj/ Rama: Ditë krenarie për Forcat e Armatosura. Deri në 2030 paga si të NATO-s
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të 67 oficerëve të rinj në Akademinë e Forcave të Armatosura, një institucion në rrugën e transformimit sipas standardeve euroatlantike.
Gjatë fjalës së tij, Rama uroi prindërit e diplomuarve dhe vlerësoi përkushtimin e të rinjve që nisën zyrtarisht shërbimin në uniformë për Shqipërinë dhe Kosovën.
“Një ceremoni që për 67 oficerë dhe oficeret që sot ne jemi këtu për të kremtuar, është një ditë e paharrueshme. Dua ta nis fjalën time me një urim dhe me një shkrehje respekti për të gjithë prindërit e tyre. Jam i bindur që nëse për vajzat dhe djemtë që sot hynë në rrugën e shërbimit, është emocion, për prindërit është një emocion shumë i veçantë. Fëmijët e tyre sot janë shërbëtorë në uniformë në shërbim të atdheut, Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës”, tha Rama.
Ai e cilësoi këtë ditë si një moment krenarie për të gjithë trupën e ushtrisë dhe kujtoi kushtet e vështira në të cilat ndodheshin Forcat e Armatosura në të kaluarën.
Kryeministri theksoi se sot ushtarakët shqiptarë janë më të mirëpaguarit në rajon, duke lënë pas periudhën e buxheteve minimale. Rama u zotua se rritja e pagave do të vijojë me objektivin që deri në vitin 2030 niveli i tyre të arrijë mesataren e NATO-s. Për më tepër, ai njoftoi se po punohet në raundin e fundit për miratimin e statusit të ushtarakut, i cili pritet të zyrtarizohet së shpejti.
“Sot është një ditë krenarie për Forcat e Armatosura, për trupën pedagogjike, dhe për Shtabin e Përgjithshëm. Është krenari për të gjithë, sot unë e kam të pamundur që të mos kujtoj se në çfarë situatë dramatike ka nisur rilindja e Forcave të Armatosura. Kjo fushë, ka qenë një fushë dheu e papërdorshme dhe dallimi i kësaj pasqyre, është simbolikë për dallimin se si sot Forcat e Armatosura janë të mbështetura dhe të motivuara.
Kur kjo fushë ishte e parregullt, Forcat e Armatosura mbaheshin në këmbë vetëm nga pasioni dhe edukata. Ishin më të keqpaguarit në rajon dhe kishin një buxhet qesharak dhe nuk kishin asnjë perspektivë se gjërat do të ndryshonin. Sot kemi forcat më të mirëpaguara dhe nuk do të ndalemi asnjë vit. Objektivi ynë është që deri në vitin 2030 është që Forcat e Armatosura të jetë të paguara mesatarisht sa të NATO-s. Kemi një zotim për statusin e tyre, është raundi i fundit. Edhe këtë së shpejti do ta japim si lajm”, shtoi kreu i qeverisë.

