Balla: Më 17 shkurt të gjithë shqiptarët të jenë në Prishtinë në mbrojtje të UÇK

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh sot në Kuvend, se deklarata e Kuvendit në lidhje me procesin që po mbahet  në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, është në konsekuencë të plotë me qëndrimet e Partisë Socialiste në këto 35 vite në Kuvend sa i përket çështjeve që lidhen me pastërtinë e luftës çlirimtare në Kosovë.

“Sikur sot të ishte gjallë heroi ynë kombëtar Adem Jashari. Sipas këtyre prokurorëve edhe ai duhej dënuar me 45 vite burg se luftoi për lirinë e vendit të vet. Por heroi kombëtar Adem Jashari, bashkë me shumë heronj të tjerë që u përmendën këtu nuk mund të përballen me këtë aktakuzë, sepse pushtuesi i ka vrarë”, u shpreh Balla.

“Kosova për botën dhe Shtetet e Bashkuara, për NATO-n qëndroi për diçka më të madhe se sa vetë Kosova. Sipas kësaj pretence edhe Bill Clinton presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që urdhëro forcat e NATO-s të ndërhynin kundër forcave serbe që vrisnin e prisnin këdo që i dilte përpara duhet shpallur fajtor”, u shpreh Balla.

Balla deklaroi se pretenca  kundër komandantëve të UÇK-së është baltë në vijim të baltave që janë përpjekur të hidhen në këto 27 vite kundër luftës çlirimtare në Kosovë.

“Qëndresa paqësore të popullit të Kosovës, beteja e drejtë për liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe valët biblike njerëzore që i iknin kasaphanës, na qenkan zeruar duke i lënë vendin trillimeve se gjoja Ushtria Çlirimtare e Kosovës, sipas tyre, paska qenë një grup i strukturuar kriminal me drejtim, me zbatim dhe gjithçka tjetër”, deklaroi Balla

Balla e cilësoi pretencën si alarm të madh.

“Janë 12.000 bijë e bija shqiptarë, të cilëve iu grabit jeta në Kosovë. Janë 20.000 gra dhe vajza shqiptare në Kosovë që u përdhunuan. Janë edhe 1.600 shqiptarë të vdekur e pa kallur ose si thonë me këtë gjuhën burokratike të Hagës “rezultojnë të zhdukur”. Por për këta? Po për këta çfarë mund të bëhet dhe si do të bëhet?”, vijoi Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së u shpreh se ndaj askujt, të paktën për krimet në Kosovë nuk janë kërkuar 45 vite burg veçse për kryekriminelin e Europës pas Luftës së Dytë Botërore, Ratko Mladiç i cili akuzohet për 8.000 viktima në Srebrenicë.

Ndërkohë që nuk ka asnjë provë, vijoi Balla, asnjë fakt ndaj komandantëve të UÇK-së.

“Kuvendi i Shqipërisë, kjo sallë këtu me përbërje tjetër i ka kërkuar zyrtarisht Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të rishikojë rezolutën 1782/2011. Dhe të shpallen të pabazuara pretendimet për trafik të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri në Kosovë në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave, informacionit të përditësuar, pra Shqipëria si vend anëtar i Këshillit të Europës në Asamblenë Parlamentare ka goditur dokumentin bazë mbi të cilin është ngritur kjo gjykatë”, u shpreh Balla.

Ai ftoi shqiptarët më 17 shkurt në orën 14:00 të jenë të gjithë në Prishtinë në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së.

EMISIONET