INTERPELANCA/ Braçe i kthehet Salës: Të rikthehet sa më parë afër banorëve qendra shëndetësore në “Irfan Tomini”

INTERPELANCA/ Braçe i kthehet Salës: Të rikthehet sa më

Deputeti socialist Erion Braçe i kërkoi sot në seancë plenare ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Salla, sqarime për mosfunksionimin e plotë të qendrës shëndetësore në rrugën “Irfan Tomini” dhe pasojat që kjo situatë ka sjellë për banorët e zonës.

Braçe theksoi se kjo qendër ndodhet në një zonë të gjerë, që shtrihet nga Pallati me Shigjeta deri në rrugën ndarëse të Selitës, ku jeton një numër i konsiderueshëm banorësh, përfshirë të moshuar dhe pacientë kronikë që kanë nevojë për shërbim shëndetësor pranë banesës.

“Kam takuar shumë prej tyre. Kërkojnë akses të plotë në këtë qendër, për receta të rimbursueshme që firmosen çdo muaj, për injeksione jetike, por edhe për shërbime për fëmijët dhe të rinjtë, sidomos në këtë periudhë kur jemi në pikun e gripit”, u shpreh ai.

Deputeti ngriti shqetësimin për zhvendosjen e përkohshme të shërbimit në qendrën pas shkollës “Vasil Shanto”, duke e cilësuar të papranueshme detyrimin e banorëve, veçanërisht të sëmurëve kronikë dhe të moshuarve, të përshkojnë rreth 10 blloqe banimi më larg nga qendra e tyre, për të marrë shërbim shëndetësor.

Sipas Braçes, edhe ambientet e tjera te “Vasil Shanto” ku po ofrohet aktualisht shërbimi nuk janë të përshtatshme, pasi disa dhoma nuk kanë sistem ajrimi dhe kushtet nuk përmbushin standardet për ofrimin e kujdesit shëndetësor cilësor, aq më tepër tha ai, “kur jemi në stinën e gripit”.

Ai theksoi se Njësia Administrative nr. 5 ka nevojë për ambiente që ofrojnë kushte sipas standardeve më të mira, ndërsa rehabilitimi i qendrës në “Irfan Tomini” duhet të shoqërohet me zgjidhje të qëndrueshme dhe funksionale.

“Drejtoresha e qendrës shëndetësore e lagjes nr. 8 duhet të kishte bërë realisht përpjekje për të gjetur ambiente në lagjen “Irfan Tomimi” dhe nuk është e vërtetë që nuk ambiente në këtë lagje por kur ke një kontratë të gatshme dhe gjëmon pas asaj kontrate nuk shikon dot për ambient tjetër. Vendimi i drejtoreshës për zhvendosur aq larg qendrën shëndetësore ka fyer besimin ndaj ministrisë dhe qytetarëve”, tha Braçe.

Braçe vlerësoi punën e mjekëve në këtë periudhë gripi, por kërkoi që qendra të rikthehet sa më parë në funksion të plotë për t’u garantuar banorëve akses normal dhe dinjitoz në shërbimet shëndetësore.

EMISIONET