Balla: Certifikim ndërkombëtar i Shqipërisë si destinacion me siguri mbresëlënëse
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi sot se, lajmi më i bukur i këtij viti nuk është vetëm shifra 10 milionë turistë, por certifikimi ndërkombëtar i Shqipërisë sonë si një destinacion evropian, me bukuri natyrore, mikpritje të pakonkurrueshme dhe natyrisht me siguri mbresëlënëse.
Në fjalën e tij në panelin Siguria dhe Shqipëria në botë, Balla tha se, sot mund ta themi të gjithë me kokën lart dhe me krenari se Shqipërisë sonë i është pastruar përfundimisht, njëherë përgjithmonë imazhi i nxirë nga një e shkuar e rëndë shumëvjeçare”, theksoi Balla.
“Siguria publike në këtë sezon turistik ishte një test i rëndësishëm, pasi e certifikoi vendin tonë, si një destinacion të sigurt turistik me zero ngjarje kriminale ndaj jetës së turistëve të huaj që zgjodhën të bëjnë pushimet e tyre në Shqipëri”, tha Balla.
“Vitin e ardhshëm do të kemi Forcën Kombëtare të Sigurisë, si një forcë shtesë për garantimin e sigurisë në destinacionet kryesore turistike. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit duhet të garantojë plazhe të lira dhe natyrisht bregdet të pastër nga Velipoja e deri në Ksamil”, theksoi Balla.
“investimet në infrastrukturën rrugore, përdorimi i teknologjisë në kontrollet e Policisë Rrugore kanë sjellë një përmirësim tepër të madh të indikatorëve të sigurisë në rrugët e Shqipërisë”, u shpreh ai.
“Në 10 vitet e fundit numri makinave në pronësi të qytetarëve shqiptarë është dyfishuar,
nga 445.956 mjete në në vitin 2013, në 758.000 mjete në vitin 2022, ndërsa numri i aksidenteve është përgjysmuar nga 2075 në vitin 2013 në 1.165 në vitin 2022,
ndërsa 2023 do të vazhdojë trendi i uljes së numrit të aksidenteve”, tha Balla, i cili shtoi se në këtë analizë nuk përfshihet rritja me disa fish e numrit të mjeteve me targa të huaja që kanë hyrë në Shqipëri krahasuar me 10 vjet më parë.
Balla kërkoi gjithashtu nga drejtësia dënime ekzemplare për rastet e zjarrvënies
“Këtë verë u përballëm me një rritje të frikshëm të numrit të zjarreve. Kam ndjekur dhe do të vazhdoj të ndjek personalisht proceset gjyqësore në ngarkim të 101 shtetasve të arrestuar apo proceduar për zjarrvënie të qëllimshme dhe kërkoj sot përsëri nga drejtësia dënime ekzemplare për gjithkënd që është i përfshirë në këto krime barbare”, tha ai.
Balla u shpreh se, rezultatet e arritura deri më tani janë vetëm fillimi i një revanshi të sundimit të ligjit ndaj krimit të organizuar.
“Në territorin e kësaj republike s’mund të ketë më feude apo bajraqe, ku mbi ligjin dhe mbi qytetarët të jenë të fortët, të cilët edhe kur policia i shoqëronte tek dera e komisariatit, ata dilnin po atë ditë nga dritarja me vendime të blera tek tezgat e drejtësisë së vjetër. Lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike mbeten prioritet kryesor dhe goditjet e forta kundër grupeve kriminale vijojnë të intensifikohen çdo ditë”, tha Balla.
“Hetime komplekse në bashkëpunim me SPAK apo prokuroritë e jursidiksionit të përgjithshëm në rrethe po çmontojnë grupe të përfshira në ngjarje të rënda, si vrasje, apo trafiqe e pastrime parash. Falë vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, edhe hetimi i vrasjeve të 21 Janarit është një detyrë prioritare për policinë dhe prokurorinë.
Ka një rënie drastike të numrit të vrasjeve kriminale gjatë këtij viti, 32 deri më tani 2023 krahasuar me 42 në vitin 2022 dhe me 124 në vitin 2012. Duke e bërë vitin 2023 si një vit historik për rendin dhe sigurinë”, shtoi ai.
Balla theksoi se, Indeksi Europian mbi Kriminalitetin dhe Sigurinë Publike e përcakton tashmë Shqipërinë si një vend me indicator sigurie më të lartë sesa fqinjë tanët të cilët janë anëtarë të Bashkimit Europian.
“Vetëm në 20 javët e fundit, Policia e Shtetit ka realizuar 13 Operacione Kombëtare dhe 490 operacione policore lokale, me 3549 persona të ndaluar. Lufta kundër fenomenit shqetësues të përdorimit të lëndëve narkotike po garanton cdo ditë shkolla dhe komunitete më të sigurta. Deri në këtë moment falë Operacionit Kombëtar “TEMPULLI” janë goditur 24 grupe kriminale dhe janë vendosur para drejtësisë 495 shtetas, prodhues, shpërndarës dhe trafikantë të lëndëve narkotike. Operacioni Kombëtar “SUNDIMI I LIGJIT” po jep gjithashtu rezultate të kënaqshme duke cuar para drejtësisë 302 shtetas, të shpallur në kërkim ndërkombëtar ose kombëtar, grupe kriminale të përfshira në organizim të paligjshëm të lojërave të fatit, për armëmbajtje pa leje, për mashtrim, kontrabandë dhe krime të tjera ekonomike”, u shpreh Balla.
“Në vijim të pastrimit të alpeve dhe zonave të tjera në të gjithë territorin, janë asgjësuar 180 371 bimë narkotike cannabis sativa, me 148 shtetas të ndaluar dhe vendosur nën akuzë. Janë parandaluar nga Policia e Shtetit 45 ngjarje kriminale dhe kjo duhet të sfida e re e punës së përditshme të policisë”, tha Balla.
Ministri nënvizoi se, rritjen e standartit të jetesës dhe përmirësimin e kushteve të shërbimit të çdo punonjësi policie si dhe të Gardës së Republikës, që nga kushtet financiare deri tek kushtet e strehimit kur shërbejnë jashtë vendbanimit apo krijojnë familje të reja.
“Falë mbështëtjes së Kryeministrit, e bëmë fakt dhe kemi tashmë 92 punonjës policie të cilët janë shpallur përfitues dhe do të hynë më në fund banesën e tyre. Shpresoj të kemi të paktën 300 banesa të tjera gjatë 2024 dhe 500 të tjera një vit më pas, të cilat do t’u jepen familjeve të reja të punonjësve të policisë së shtetit”, theksoi ai.
“Buxheti 2024, që miratuam dje në Kuvend, do të na japë mundësinë të bëjmë një rritje të konsiderueshme të pagave në Policinë e Shtetit dhe gjatë vitit tjetër t’i japim një zgjidhje përfundimtare pagesës së munguar të ushqimit për çdo punonjës policie”, u shpreh Balla.
Ai shtoi se, “rritja e performancës së Policisë së Shtetit lidhet në mënyrë të pandashme me procesin e vetëpastrimit, e cila tashmë ka hyrë në një fazë të re, për të çrrënjosur një herë e përgjithmonë nga trupa e shëndoshë e policisë së shtetit elementët e dëmshëm të inkriminuar apo shkelës së etikës, të cilët njollosin punën e palodhur të mijëra e mijëra uniformave blu që shërbejnë me vendosmëri të palëkundur shtetit të së drejtës dhe në mbrojtje të qytetarëve të këtij vendi”.
“Hetimet në bashkëpunim me SPAK, prokuroritë e jurisdiksionit të përgjithshëm, SHISH dhe agjenci të tjera për punonjës të nivelit të parë drejtues apo zbatues, të dyshuar për shpërdorim detyre, korrupsion, vepra penale në fushën e narkotikëve, veprime arbitrare, lidhje/komunikime me krimin si dhe çdo veprim tjetër të paligjshëm vijojnë dhe rezultatet e këtij procesi janë domethënëse: 323 punonjës policie të arrestuar/proceduar deri më tani. Këto operacione dhe këto rezultate janë vetëm fillimi i vendosmërisë tonë për të vijuar me vetë-pastrimin e radhëve të Policisë së Shtetit nga ata elementë të cilët e dëmtojnë atë. Ky proces i cili sapo ka hyrë në një fazë të re do t’i japë Shqipërisë dhe shqiptarëve një Polici më të fortë dhe një nivel akoma më të lartë të sundimit të ligjit”, theksoi Balla.
“E sotmja nuk ka krahasim me të shkuarën dhe ditë pas dite rikthimi i besimit tek Policia e Shtetit po avancon në mënyrë të dukshme dhe të padiskutueshme. Por e ardhmja nuk do të ketë krahasim me të sotmen dhe unë kam nderin e madh, besimin e Kryeministrit, të shumicës së Kuvendit dhe shpresoj të shumicës së shqiptarëve për të vazhduar ndërtimin e besimit të duhur tek Policia e Shtetit edhe më shpejt, duke përmirësuar çdo gjë, në çdo drejtim”, përfundoi Balla.