(FOTO) Stuhia ndërpret koncertin e Bad Bunny në Milano/ Mijëra fansa evakuohen mes breshërit dhe panikut

Koncerti i Bad Bunny në Milano u ndërpre papritur të shtunën në mbrëmje, pasi një stuhi e fortë me breshër goditi hipodromin La Maura, duke detyruar evakuimin e afro 80 mijë spektatorëve.
Reshjet e dendura, era e fuqishme dhe vetëtimat krijuan situata paniku mes publikut, ndërsa disa fansa pësuan lëndime në kokë nga copat e mëdha të breshërit. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë të pranishmit duke u mbrojtur me çadra, pallto dhe veshje të trasha, ndërsa të tjerë morën ndihmën e parë në vendngjarje.

Artisti portorikan, emri i vërtetë i të cilit është Benito Antonio Martínez Ocasio, u detyrua të ndalonte performancën që në këngën e shtatë, ndërsa përmes altoparlantëve publikut iu kërkua të largohej menjëherë nga ambientet e koncertit.
Sipas organizatorëve, evakuimi zgjati rreth 50 minuta. Pas konsultimeve me autoritetet lokale, LiveNation Italy konfirmoi anulimin përfundimtar të koncertit, duke bërë të ditur se shfaqja nuk do të ricaktohet dhe të gjitha biletat do të rimbursohen.

Drejtori i LiveNation Italy, Roberto De Luca, e cilësoi situatën si të paprecedentë në karrierën e tij 45-vjeçare, duke falënderuar personelin e sigurisë dhe publikun për reagimin e qetë gjatë emergjencës.
Ngjarja vjen në një kohë kur moti ekstrem po godet disa vende të Evropës, me stuhi të forta në veri të Italisë dhe zjarre masive në Spanjë e Francë, duke shkaktuar evakuime dhe ndërprerje të aktiviteteve në shumë zona.
