Alibeaj në Durrës: Durrsakët do të vendosin në 14 maj

Kryetari i komanduar nga Lulzim Basha i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, zhvilloi një takim me demokratët në Durrës ku prezantohet lista me kandidatët e PD për Këshillin Bashkiak.

Ne fjalën e tij, Alibeaj  tha se Durrësi dhe durrsakët do të vendosin në 14 maj e do të votojnë për veten, do të votojnë për qytetin e tyre, do të votojnë për të ardhmen dhe familjet e tyre duke votuar Partinë Demokratike.

“Sot e shoh këtë shpresë dhe kam besim që edhe një herë si në 1990-ën e rimarrim edhe një herë rrotën e historisë atje ku ngeli në mes, ta çojmë përpara. Atë histori të ngelur në mes ta çojmë përpara pikërisht me këto zonja dhe zotërinj, pikërisht me ju miq e të nderuar. Miq, demokratë, qytetarë të Durrësit përveç entuziazmit që e kam sot dhe e ndjej, e kam pasur edhe në të gjitha takimet që kam bërë në Shqipëri nga jugu në veri, do të duhet të jemi të sinqertë e njëri-tjetrin për kohën e vështirë që po kalon Partia Demokratike, por edhe Shqipëria mbi të gjitha”,-tha ai.

Në vijim, Alibeaj foli për shpalljen “non grata” të Berishës dhe përmendi faktin se drejtësia nuk i prek.

“Aleatët perëndimorë të Shqipërisë, ata që na udhëheqin drejt vlerave të lirisë dhe demokracisë, të qytetërimit euroatlantik kanë shpallur zyrtarisht “non grata” sipas llogarive të mia, se mund të jenë edhe më shumë, 6 qytetarë shqiptarë, njëri është në Durrës Vangjush Dako dhe tjetri është në Tiranë, ish-kryetari historik i Partisë Demokratike, Sali Berishën. I kanë shpallur “non grata” me akuza të qarta duke treguar se si e kanë dëmtuar interesin publik dhe vlerat demokratike këta njerëz. Por askush nuk i prek, drejtësia nuk merret me to dhe a e dini përse, ka vetëm një shpjegim sepse i mbron Edi Rama”,- tha Alibeaj.

Po ashtu, Alibeaj tha se me kundërshtarë të tillë si Berisha dhe Meta, Edi Rama nuk ka garë fare.

“Kam folur për trekëndëshin Rama-Berisha-Meta në takime të tjera, gjatë kësaj fushatë. Siç e keni parë në një vit e gjysmë këta të tre kanë sulmuar PD herë fshehurazi e herë haptas, por gjithmonë të koordinuar me njëri tjetrin sepse gjërat që i bashkojnë janë më të mëdha se ato që i ndajnë. I bashkon korrupsioni i 30 viteve në pushtet prandaj mbajnë njëri-tjetrin në politikë. Rama mban Berishën.

Berisha mban Metën dhe të dy mbajnë Ramën. Shqiptarët masivisht janë kundër berishizmit dhe kërkojnë euroatlantizmin. Shqiptarët nuk e duan Ramën po aq me pak Berishën dhe Metën.

Regjimi i Ramës, miq, zonja dhe zotërinj do të marrë fund jo kur të ikë Edi Rama, por kur të ikin arsyet se përse vazhdon të rrijë aty Edi Rama. Berisha dhe Meta, aleanca e tyre laramane, kuq e blu. Këtë do duhet të kuptojmë sot, ne të gjithë anëtarë të PD, qytetarë të ndershëm të Durrësit dhe Shqipërisë.

Ndaj zonja dhe zotërinj unë sot ndjehem vërtetë mirë që jam me njerëz të lirë, që duan PD, që duan Durrësin, duan familjen shqiptare, duan Shqipërinë. Janë patriotë të vërtetë dhe do ta tregojnë këtë duke votuar me 14 Maj, PD për t’i dhënë frymëmarrje Durrësit, për t’i dhënë frymëmarrje Shqipërisë”, tha Alibeaj.

EMISIONET