A do ta rrethojë nesër Gjykatën Administrative, Erion Veliaj?!

Ditën e nesërme në Gjykatën Administrative do të zhvillohet seanca për padinë e bërë ndaj prokurorit të posaçëm Ols Dado, nga kryebashkiaku i arrestuar për 13 akuza të rënda, Erion Veliaj. Seancë në të cilën, CNA ka mësuar se Erion Veliaj do të jetë i pranishëm. Njeriu që nuk shkon të përballet me drejtësinë në Gjykatën Penale do të shkojë në gjyq administrativ.
I njëjti person, në vitin 2016 rrethonte Gjykatën Administrative për interesa të caktuara. Nesër do të jetë i pranishëm në seancë në gjykatën që rrethonte 10 vite më parë. Pyetja që lind është: A do ta rrethojë dhe nesër Gjykatën Administrative, Erion Veliaj?
Kryebashkiaku i akuzuar për 5 vepra të rënda penale, po shkon në Gjykatën Administrative, gjoja për parime, për të “rrethuar” prokurorët. Ndërkohë që në 2016 rrethonte Gjykatën Administrative për interesa të caktuara, sot po e rrethon për interesa personale.
Në maj të vitit 2016, Erion Veliaj, në atë kohë kryebashkiak i Tiranës rrethoi Gjykatën Administrative duke organizuar një miting përpara se ky institucion të jepte vendimin, në lidhje me padinë e bërë nga një kompani ndërtimi për punimet në një pallat në kryeqytet.
Në atë kohë, Gjykata Administrative u detyrua të shtynte dhe vendimin për shkak të presioneve që vinin nga jashtë. Tani po e bën presionin direkt dhe nga brenda gjykatës. Kryebashkiaku Veliaj 10 vite më parë deklaronte se gjyqi në Administrative ishte i shitur dhe kërkonte dorëheqjen e gjykatës.
“Gjyqi është i shitur të kërkojmë të marrim drejtësi. Të jemi të gjithë bashkë të kërkojmë të ndryshohet trupi gjykues dhe të na caktojnë një tjetër datë për të mbajtur seancën, gjykata të japë dorëheqjen është familje e betonit”, deklaronte Veliaj në maj të vitit 2016.
Ndërkohë që tani flet ndryshe. Nuk e ka betejën me gjykatësit, por me prokurorët, për hallin e tij personal.
I njëjti njeri që ka deklaruar se duhet të mbështetet SPAK-u, e që më pas ka bërë një mijë e një sulme e akuza ndaj SPAK-ut, dikur rrethonte Gjykatën Administrative ndërsa nesër po shkon në këtë gjykatë për padinë e bërë nga ai vetë. Është po ky njeri që nuk shkon në gjykatë për hallet e tij penale./ Marrë nga CNA


