Veliaj shkon në Administrative “të trembë” gjyqtarin

Drejtoria e Burgjeve ka njoftuar se nesër do të shoqërojë shtetasin Erion Veliaj, i burgosuri i Durrësit me 13 akuza të rënda në SPAK, për të qenë në seancën gjyqësore në Gjykatën Administrative në të cilën ai ka kërkuar, pavlefshmërinë e emërimit të prokurorit Ols Dado në detyrë.
Në fakt, këtu jemi përballë një konflikti të pastër interesi sepse Erion Veliaj është i pandehur me 13 akuza në SPAK, akuza të cilat në fakt kanë shkuar në gjykatë dhe ka filluar çështja të shqyrtohet në themel. Erion Veliaj është i njëjti person i cili nuk shkon në Gjykatën Penale dhe shtyn seancat pambarimisht. Është i njëjti person që me avokatët e tij nuk pranon të ketë prezencë mediatike, ndërsa nesër do të shkojë në Gjykatën Administrative kundër prokurorit Ols Dado, ku ka përfshirë në mënyrë të pashembullt edhe Bashkinë e Tiranës.
CNA i ka çuar një shkresë zyrtare Bashkisë së Tiranës në lidhje me këtë çështje, por ende nuk ka marrë përgjigje duke shkelur ligjin, çështje për të cilën CNA i është drejtuar zyrtarisht institucioneve të tjera përgjegjëse. Erion Veliaj, për çfarë shkon në Gjykatën Administrative?
Njeriu që ka 13 akuza të rënda penale, ku ka përfshirë 20 e kusur persona në çështjen e tij, nuk shkon në GJKKO pas akuzave të SPAK, por shkon në Gjykatën Administrative.
Është e qartë, ne po e shkruajmë që sot, le të mbetet si dëshmi, strategjia duket e thjeshtë: shkon në Gjykatën Administrative, merr tufa me letra, flet mban fjalime për të impresionuar, pa përdorur termin intimiduar, gjyqtarin në detyrë dhe fjalën e tij, ku do të vazhdojë të flasë gjatë e gjatë në lidhje me një çështje ku Erion Veliaj në parim është në konflikt të pastër interesi, pasi prokurori Ols Dado është njeriu që e ka hetuar së bashku me prokurorin Altin Dumani.
Por çështja është dhe shumë e thjeshtë. Erion Veliaj mendon se duke bërë veprime administrative do t’u hedhë hi syve njerëzve, por nuk është një prokuror. Çështja ka dy prokurorë edhe pse Altin Dumanit ka frikë t’ia zërë emrin me gojë. Veliaj vazhdon ta trajtojë çështjen e tij penale, akuzat e rënda nga SPAK, si një propagandë fushate elektorale, çështje politike, kur në fakt është një hetim me një dosje mbi 60 mijë faqe që Erion Veliaj e ka në gjykatë prej shtatë muajsh, që avokatët e tij kanë marrë dijeni, që janë çuar dhe dokumentet dhe është provuar jo vetëm nga përgjimet por dhe nga veprimet e bëra në GJKKO se ai kërkon të krijojë skema për shtyrjen e gjyqeve dhe nuk paraqitet në gjykatë.
Nga ana tjetër, CNA nga burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mësoi se nesër Veliaj do shkojë në një çështje në Gjykatën Administrative. Ndërkohë nga ana tjetër mund të theksojmë se prej javësh Erion Veliaj kërkohet që të shkojë në Gjykatën Penale të Tiranës për çështje të ndryshme që e kanë kallëzuar gazetarë, politikanë dhe nuk paraqitet, ashtu sikundër faktit që nuk shkon as në GJKKO, ndërsa është i gatshëm të shkojë në një gjyq administrativ ku është në konflikt të pastër interesi, thjesht dhe vetëm për të impresionuar gjyqtarin.
Do shkojë, do flasë pa mbarim. Në fund do të shikojmë një skenar të një njeriu që kërkon të sillet si show-man, ndërkohë që ka 13 akuza të rënda penale në GJKKO./ Marrë nga CNA


