Agjencia e Mbrojtjes Civile, ka dhënë sërish alarmin për përmbytje në vendin tonë.

Kjo situatë vjen pasi Instituti i Gjeoshkencave Energjisë, Ujit dhe Mjedisit si dhe Instituti Meteorologjik Ushtarak kanë parashikuar reshje të dendura shiu nga data 22 deri me 26 janar.

Çdo 24 orë, pritet të ketë rreth 230 milimetra shi, një shifër kjo e konsiderueshme.

Qarqet veriore të Shkodrës, Kukësit e Dibrës mbeten më të rrezikuarat.

Lumenjtë e Drinit, Matit, Shkumbinit, Vjosës dhe Semanit rrezikojnë të dalin nga shtretërit dhe të zgjerojnë hartën e sipërfaqes së përmbytur.

Agjencia e Mbrojtjes Civile ka bërë thirrje për të gjithë Bashkitë dhe prefekturat që të jenë në gatishmëri edhe për evakuime dhe akomodime të qytetarëve dhe gjësë së gjallë.

Ky paralajmërim vjen në kohën kur sipërfaqja e përmbytur në Shkodër, është rritur sot në 1470 hektarë tokë, për shkak të rritjes së shkarkimeve në Hidrocentralin e Vaut të Dejës nga 300 m3/s në 700 m3/s me synim parandalimin e shkarkimeve të mëdha në ditët me shi.

Gjithashtu në Shkodër fshati Obot vijon të jetë i izoluar, për shkak se niveli i ujit në rrugën e këtij fshati ka shkuar në 90 centimetër.